Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, do të hedhë sërish kandidaturën e tij për kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe këtë fakt ia ka thënë ish-eprorit të tij, Barack Obama sipas raportimeve nga media amerikane “The Hill”.
“Biden do të rikandidojë dhe është shumë entuziast për këtë gjë”, shkruan “The Hill” në bazë të burimeve të saja, raporton Albanian Post.
Presidenti amerikan e ka lënë edhe më parë të kuptohet se nuk do t’i thoshte jo rikthimit në garë, nëse baza e Partisë Demokratike në SHBA e mirëpret atë.
Vetë fakti se Obama e mbështet Biden-in plotësisht edhe për faktin se ai shërbeu si zëvendëspresident gjatë presidencës Obama tregon se pozitat e kreut aktual të shtetit amerikan janë shumë të forta brenda forcës politike.
Burimet e “The Hill”, pohojnë gjithashtu se përtej rënies së mbështetjes popullore në tërësi, nuk ka ndonjë kandidat tjetër po kaq të fuqishëm sa Biden në radhët e demokratëve.
Pozita shumë të forta për rikandidim ka edhe republikani Donald Trump, i cili në vitin 2020 e humbi garën përballë Bidenit dhe kërkon tashmë revanshin e tij politik.
Në bazë të shkrimit nga “The Hill”, vetë Biden mendon se është i vetmi, i cili mund ta mundi Trumpin në garë.
Mosha gjithsesi është penalizuese për presidentin aktual. Biden është 79 vjeç dhe në zgjedhjet e vitit 2024, do të jetë 82.
Në vitin 2020, ai u zgjodh në moshën 78-vjeçare si presidenti më i vjetër në moshë.
Koha pret deri në zyrtarizimin e një kandidature. Por mendjet duket se janë të qarta që tani.
Një duel i rikthyer Biden-Trump, është më se i mundur./albeu.com