Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, të cilat dyshohet se erdhën nga territori i Serbisë.
Pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-komandantit të UÇK-së, Zahir Pahaziti, Kurti tha para gazetarëve se sulmet kishin për qëllim vrasjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ai ka kërkuar hetime për zbardhjen e rastit.
“Ne kemi dënuar ashpër këtë sulm i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba dhe granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që pësuan vetëm dëme materiale. Iu takon organeve të rendit të bëjnë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin por në anën tjetër edhe për t’u vlerësuar situata e sigurisë se çka duhet të ndërmarrin në vijim në mënyrë që ta pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por sulme mbi policet që kanë pasur për qëllim të vrasin. por fatmirësisht nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe asnjë pjesëtar i PK-së nuk është lënduar.Organet e rendit do të bëjnë hetime për hapat tonë përpara. Me strukturat ilegale të Serbisë dhe krimit i organizuar nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, policia etj”, tha Kurti.
Policia e Kosovës është sulmuar nga granata dore, kallashnikov dhe mjete piroteknike në veri të vendit.
Goditja e parë ishte me thumba metalikë në rrugë.
E policia po dyshon se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.
Përveç dëmeve materiale nuk është raportuar për ndonjë zyrtar policor të lënduar./Express