Përgjegjësja e Sektorit të Shpendëve në Ministrinë e Bujqësisë, Keti Margariti, nga studioja e “Abc Live” ka deklaruar se nuk ka vend për panik pas ngordhjes së pulave në disa pulari në Durrës. Margariti tha se nuk janë 500 mijë shpendë të ngordhur, por janë 248 mijë. Kjo ka ardhur ndodhur si pasojë e një sëmundjeje që sipas saj nuk është ngjitëse, megjithatë theksoi se është ngritur një grup pune për të bërë një analizë të saktë të shkaqeve.
“Është situatë që ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave. S’ka vend për panik. Mostrat kanë konfirmuar sëmundjen e laringo trakeitit infektiv. Numri i ngordhjeve në shpendë është pak i fryrë. Janë 248 mijë shpendë të ngordhur. Nuk interferon me shëndetin publik kjo sëmundje. S’kemi të bëjmë me grip shpendësh, të gjitha produktet mund të konsumohen. Është ngritur një grup pune që po bën hetimin. Nga të gjitha mostrat është përjashtuar mundësia e gripit të shpendëve. S’kemi asnjë shenjë. Është ngritur një grup me specialistë. Kjo është sëmundje e vaksinueshme. Prandaj është ngritur dhe grupi i punës, vaksina që përdoret është me virus të gjallë. Po vërtetojmë nëse janë bërë vaksinat te këta shpendë”.
Ajo u shpreh se në Evropë aktualisht “po qarkullon gripi i shpendëve, ndërsa në vendin tonë jo”.
Duke qenë se është përhapur në vendet e tjera, nuk përjashtohet mundësia që të vijë shumë shpejt te ne.
“Mund të bjerë në ferma, masat janë marrë. Në moment që bie në vendet fqinje ministria e Bujqësisë nxjerr urdhër ndalimi për të gjitha këto produkte dhe shpendë”.