Ditën e sotme pritet që Partia Demokratike të mbledhë Grupin Parlamentar, pak para nisjes së
seancës plenare në Kuvend.
Mbledhja pritet të mbahet në orën 09:00 dhe pritet të diskutohet për qëndrimet që do të mbajnë deputetët në votimin mbi zgjatjen e afateve të vetting-ut deri në 2024, të propozuar nga maxhoranca.
Negociatat para votimit në Kuvend të propozimit të maxhorancës kanë futur në lojë edhe ndërkombëtarët. Sipas burimeve përgjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë të ambasadave të vendeve të perëndimit në Tiranë kanë shkuar në selinë blu për të arritur një unanimitet mes palëve sa i takon këtij procesi.
Si përgjigje ata kanë hasur një kundërshtim në lidhje me këtë çështje pasi demokratët distancohen nga ky votim, duke qenë se propozimi ka ardhur nga socialistët dhe mund të perceptohet në publik si një ujdi e mundshme mes palëve.
Negociatat janë shtrirë edhe në selinë rozë, duke bërë që retorika mes palëve të zbutet gjatë ditëve të fundit ndërsa socialistët duket se kanë lëshuar “pe” nga disa qëndrime të forta në komisionet hetimore përballë kërkesave të demokratëve.
Selitë diplomatike të SHBA, BE, Mbretërisë së Bashkuar apo edhe Gjermanisë në vendin tonë dje iu drejtuan me thirrje të njëpasnjëshme Kuvendit për të ngritur “kartonat” pro zgjatjes së vetting-ut për të krijuar në një farë mënyre edhe bindjen se kjo kërkesë nuk vjen nga socialistët por ka lidhje me fatin e përbashkët të vendit.
Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se duhet zgjatja e mandatit pasi ky proces i filluar nga ky komision pra vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të mbyllet nga po ky komision./albeu.com/