Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla zhvilloi një vizitë në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, ku bisedoi me koordinatorin e saj, Burhan Maxhuni.
Gjatë takimit u trajtuan veprimtaria, përgjegjësitë dhe mënyra e funksionimit të këtij mekanizmi, i cili është pjesë e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, bëri të ditur Gërvalla.
Të lidhura
None found
Ministrja vuri në dukje se zyra ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit. Përmes Mbrojtësve të Viktimave, ajo ofron përfaqësim dhe mbështetje gjatë procedurave në prokurori e gjykata, si dhe informim për të drejtat ligjore e orientim drejt shërbimeve përkatëse të mbrojtjes dhe ndihmës.
Gërvalla nënvizoi se shteti ka detyrim të mbrojë viktimat dhe se dhuna nuk mund të pranohet.
“Për dhunën nuk ka justifikim, për kryerësit nuk ka amnisti dhe për shkeljen e të drejtave të viktimave nuk ka tolerancë. Ligji duhet të veprojë, drejtësia duhet të triumfojë dhe përgjegjësia duhet të jetë e pashmangshme”, shkroi ajo.
Ajo rikujtoi gjithashtu se është në dispozicion Linja Ndihmëse 0800 11112. Viktimat dhe qytetarët mund ta përdorin për të kërkuar ndihmë, për të raportuar abuzime dhe për të marrë informacione rreth të drejtave dhe mekanizmave mbrojtës.
Ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin kur përballen me dhunën, por ta denoncojnë atë dhe të kërkojnë ndihmë. Linja, theksoi ajo, është falas dhe garanton shërbim konfidencial.







