Ndodh sërish në Vlorë! 39-vjeçari merr kredi në emër të dikujt tjetër, vihet në pranga

Nuk është hera e parë që në qytetin e Vlorës të bien në pranga persona për shkak të marrjes së kredisë në emër të dikujt tjetër me dokumenta false.

Ditën e sotme është arrestuar nga policia një 39-vjeçar, banues në lagjen “15 tetori” për veprat penale “Mashtrim në kredi” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose formularëve”.

Policia është vënë në lëvizje pas kallëzimit të bërë nga shtetasi B.M, “pre” e kësaj vepre të bërë nga shtetasi, K.R.

Në pranga janë vënë gjithashtu, një shtetas në Sarandë për veprën penale “Ndërtim të palighshëm”, një shtetas në Selenicë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe dy shtetas në lagjen “Pavarësia 3” në Vlorë janë proceduar penalisht për “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në disapozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Njoftimi i Policisë:

DVP Vlorë/ Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë proceduan penalisht për veprat penale “Mashtrimi në kredi” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, shtetasin K. R., 39 vjeç, banues në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi G. M., banues në Vlorë, se nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit, shtetasi K. R. ka marrë një kredi në emër të tij.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasin G. K., 33 vjeç, banues në lagjen nr.2, Ksamil, Sarandë, pasi u konstatua duke ndëtuar një objekt, pa lejen e organeve kompetente.

Nga specialistët e Hetimit të Krimit në Stacionin e Policisë Selenicë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Sami Sulaj, 60 vjeç, banues në fshatin Brataj, Selenicë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 10.03.2021, e ka dënuar me 2 vjet burg për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasit A. A., 30 vjeç dhe A. Ç., 28 vjeç, banues në Vlorë, pasi në lagjen “Pavarësia 3”, në lokalin që administronin, janë gjetur dhe sekuestruar tre tavolina pokeri.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /albeu.com

 


Shtuar 2.02.2022 14:19