Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar SHBA-në se po përpiqet ta tërheqë vendin e tij në një luftë në Ukrainë.
Ai tha se qëllimi i Amerikës ishte të përdorte një konfrontim si pretekst për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë.
Putin tha gjithashtu se SHBA po injoronte shqetësimet e Rusisë për forcat e aleancës së NATO-s në Evropë.
Nga ana tjetër, SHBA dhe partnerët e saj në aleancën e NATO-s akuzojnë Rusinë për planifikimin e një pushtimi të Ukrainës, diçka që Rusia e ka mohuar vazhdimisht.
Të martën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkroi në Tëitter se Shtetet e Bashkuara ishin “të përkushtuara për të parandaluar një konflikt që nuk është në interesin e askujt”.
Në javët e fundit Rusia ka zhvendosur rreth 100,000 trupa, të pajisura me gjithçka, nga tanket dhe artileria te municionet dhe fuqia ajrore, në kufirin me Ukrainën.
Kjo vjen tetë vjet pasi vendi aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit.
Moska nga ana e saj akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në lindje, ku të paktën 14,000 njerëz janë vrarë dhe rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi të martën se një pushtim rus “nuk do të ishte një luftë midis Ukrainës dhe Rusisë, por një luftë në Evropë, në shkallë të plotë”./albeu.com