Dita e dytë e emisarëve në Kosovë, opozitarët me qëndrime 100% të njëjta në ambasadë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj patën kërkesa dhe pritje identike nga dialogu me Serbinë në takimet e ndara që i patën sot me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Të ftuar me rend në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj njoftuan pas takimeve me dy diplomatët se aty i kanë shprehur të njëjtat kërkesa. Liderët e tri partive opozitare shprehën mbështetjen e tyre për arritjen e marrëveshjes përfundmitare me Serbinë.

Përveç kësaj, tre opozitarët e shohin njësoj edhe kornizën e marrëveshjes që thonë se duhet të arrihet. Ata duan që marrëveshja të përmbajë njohjen reciproke, të mos e cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, si dhe ta respektojë rendin kushtetues, shkruan Express.

“PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, intergritetin territorial dhe rendin kushtetues”, shkroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit. Ai tha në Facebook se u diskutua edhe për rolin e kësaj partie.

I shoqëruar nga nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Kujtim Shala, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku njoftoi se në takim ka shprehur qëndrime të njëjta me të Krasniqit.

“Në këtë takim i njoftuam përfaqësuesit në fjalë mbi qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike në vend, me theks të veçantë për procesin e dialogut. Bëmë të ditur edhe njëherë qëndrimin tonë politik mbi këtë proces, rëndësinë e tij për vendin tonë dhe nevojën që i njëjti të përfundojë me njohje të ndërsjellë e normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës”, shkroi ai.

Abdixhiku tha se dy dilpmatët e kanë vlerësuar rolin e LDK-së në proceset e rëndësishme të vendit, siç është dialogu me Serbinë.

Duke kërkuar rol më aktiv të SHBA-së, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e mendon me epilog të njëjtë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi Haradinaj në Facebook pas takimit.

Kjo është dita e dytë e vizitës së dy emisarëve në Prishtinë, pas së cilës ata do të shkojnë edhe në Beograd.

Pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti dje, diplomati evropian Miroslav Lajçak tha se do t’i vazhdojnë diskutimet me ta lidhur me planet për javët dhe muajt e ardhshëm.

“Kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ai.

Emisari evropian tha se do të qëndrojnë në Kosovë deri të mërkurën. Deri të nesërmen, ai theksoi se shpreson që “ta kemi një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si të ndërtohet procesi”.

Ndërsa Escobar siguroi se Kosova e ka një partner dhe mik të mirë përkrah. “Ju duhet të jeni miq me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, ndërsa foli se si Kosova duhet ta ndjek edhe rrugën e saj të integrimit në BE.

“Nga perspektiva amerikane dua vetëm të theksoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, tha paraprakisht diplomati amerikan. /Express


Shtuar 1.02.2022 16:37