Personalitetet e njohura shqiptare që ndërruan jetë në 2021

Viti 2021 mori nga jetë një sërë artistësh e personalitetesh të njohura shqiptare.

Ata do t’u mungojnë familjes, miqve, kolegëve e publikut që i deshi dhe i duartrokiti përgjatë gjithë karrierës së tyre. Pa to arti shqiptar do të jetë më i varfër, qielli i yjeve të artistëve shqiptarë do të shkëlqejë më pak. Ndonëse veprat që ngjizën në vite nuk do të vdesin kurrë. Fatkeqësisht viti 2021 mori me vete, shumë figura të njohura të artit, kulturës dhe ekranit. I mori ata që kanë lënë gjurmë në kujtesën kulturore të shqiptarëve.

Fillimi i këtij viti, pikërisht më 6 janar 2021 do të qe tejet i trishtë për familjarët dhe dashamirësit e kantautorit Kujtim Prodani. Ai u nda nga jeta para kohe si pasojë e infektimit me Covid-19, betejë të cilën artisti nuk mundi dot ta fitojë.

13 shkurti i 2021-shit hidhëroi publikun pasi u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare aktori Andon Qesari. Artisti prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë e cila i mori jetën. Në 18 shkurt poeti i njohur i polifonisë labe Lefter Çipa ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare.

Më 1 mars të këtij viti mbylli sytë përgjithmonë në moshën 83-vjeçare kompozitori Agim Krajka. Krajka la pas një krijimtari voluminoze duke përjetësuar kështu emrin e tij të pavde ks hëm.

Në 30 prill 2021 u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare artisti i njohur shkodran Berhan Nehani. Ai njihet si një ndër themeluesit e grupit “Karajfilat që ka Shkodra”. 2021-shi ndau nga ne, artistin e madh të dhjetra roleve të mëdha, Guljelm Radoja. Pas një beteje të gjatë me Covid-in, ai mbylli sytë më 5 maj të këtij viti.

Ahmet Golemi, boksieri i njohur shqiptar i shpallur pesë herë kampion u nda nga jeta më 15 maj në moshën 85-vjeçare, duke trishtuar të gjithë dashamirësit e tij. Një ndër personalitetet më të shquar në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare u shua në qershor të këtij viti në moshën 89 vjeçare.

Në qershor të vitit 2021 u nda nga jeta ‘babai’ i Teatrit Shqiptar, Pirro Mani. Ai ishte një prej korifenjve të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Penës shqiptare ju shkëput një emër i njohur në 6 korrik. Poeti dhe skenaristi Petrit Ruka u nda nga jeta në moshën 67 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Ndarja e parakohshme nga jeta e dirigjentit shkodran Kujtim Aliaj ishte një humbje e trishtë për artin shqiptar. Aliaj mbylli sytë përgjithmonë në moshën 60 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Këngëtari i madh shqiptar i muzikës së lehtë shqiptare Sherif Merdani u nda nga jeta më 29 gusht. Merdani ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Mjeshtri i Madh i humorit shkodran Paulin Preka mbylli sytë përgjithmonë në 4 shtator 2021. Ai ishte 86 vjeç dhe prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.

Fadil Kraja ishte dramaturg dhe letrar i shquar kombetar, që u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare më 18 nëntor. Krijimtaria dhe emri i tij lidhen ngushtë me Teatrin Kombëtar Shqiptar dhe Teatrin “Migjeni” të Shkodrës.

E papritur, e dhimbshme qe për të gjithë ndarja nga jeta shumë para kohe e artistes Hueyda El Saied. Artistja shumëdimensionale nuk mundi ta fitojë betejën me tumorin në gji dhe mbylli sytë përgjthmonë në moshën 56 vjeçare duke lënë pas një djalë 7-vjeçar.

Në fillim të dhjetorit të këtij viti, u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, aktorja e njohur Edi Luarasi. Pas një beteje të gjatë me sëmundjen, ajo mbylli sytë në banesën e saj, e rrethuar nga familjarët dhe të afërmit.

Një sëmundje e gjatë nga e cila vuante prej kohësh, i mori jetën në moshën 64-vjeçare, poetit Arben Duka shumë pak para kremtimit të Krishtlindjes. Poet, autor i mijëra vargjeve, i një satire e humori goditës, Duka ka lënë gjurmë në letrat shqipe.


Shtuar 18.01.2022 15:52