Dieta me kastravec: Sa kilogramë humbisni dhe sa e shëndetshme është?

Ka shumë versione të dietës me kastravec, e cila shkakton humbje të shpejtë në peshë. Kjo dietë ju lejon të humbni deri në shtatë kilogramë në shtatë ditë.

Megjithatë, pavarësisht se përbërësi kryesor i dietës është i shëndetshëm, nuk mund ta ndiqni për një kohë të gjatë, pasi çon në mungesë të lëndëve ushqyese dhe pengon ruajtjen dhe rritjen e masës muskulore.

Cila është dieta me kastravec?

Dieta me kastravec shkakton humbje peshe afatshkurtër duke konsumuar më pak kalori. Shumica e versioneve të dietës parashikojnë 7-14 ditë respektim të rreptë të rregullave të saj dhe shpesh çojnë në humbje deri në 7 kilogramë. Motoja e dietës është “7 kilogramë në 7 ditë”.

Dieta parashikon konsumimin e kastravecit si një përbërës kyç në vakte në kombinim me sasi të vogla proteinash, si mishi i pulës, vezëve, peshkut dhe arrave.

Në thelb dieta juaj ju detyron të zëvendësoni shumicën e frutave, perimeve dhe ushqimeve të tjera që hani me tranguj.

Rregullat

Sa herë që ndiheni të uritur, dieta me kastravec rekomandon të konsumoni vetëm kastravec. Duke qenë se përbërësi kryesor i dietës është i ulët në kalori, edhe nëse hani një sasi të madhe, nuk rrezikoni të shtoni peshë.

Kastravecat janë gjithashtu të ulëta në proteina, kështu që dieta kërkon plotësimin e vakteve me ushqime proteinike si vezë, mish pa dhjamë, gjizë dhe arra. Ju gjithashtu mund të hani karbohidrate dhe në veçanti bukë të thekur, oriz kaf dhe patate.

Humbje peshe

Fatkeqësisht, nuk ka studime që konfirmojnë se dieta me kastravec sjell humbjen e premtuar në peshë. Por është e mundur të arrihet, pasi ushqimet që lejon japin shumë pak kalori. Megjithatë, për shkak se është një dietë kufizuese, është e vështirë të ndiqet për një periudhë më të gjatë kohore.

Një kastravec me peshë rreth 300 gram jep mesatarisht 45 kalori. Edhe nëse dikush arrin të hajë 10 tranguj, do të marrë 450 kalori.

Pas 14 ditësh dietë, ka të ngjarë të rifitoni peshën që keni humbur, veçanërisht nëse nuk ndiqni rregullat e përgjithshme të të ushqyerit të shëndetshëm. Është e rëndësishme të zhvillohen praktika të shëndetshme, të tilla si kontrolli i porcioneve dhe përmbajtjes ushqyese para dhe pas dietës.

Vlera ushqyese

Kastravecat janë të pasur me lëndë ushqyese esenciale si vitamina C dhe K, por edhe kalium.

Megjithatë, ato nuk përmbajnë kalcium, yndyrë, fibra, hekur, proteina bazë dhe lëndë ushqyese të tjera të nevojshme për të ruajtur shëndetin e trupit. Edhe pse dieta lejon sasi të vogla të ushqimeve proteinike, ju mund të mos jeni në gjendje të plotësoni nevojat tuaja ditore për shkak të kufizimeve.

Si përfundim, dieta me kastravec nuk është një plan ushqimor i shëndetshëm dhe sigurisht që nuk mund ta ndiqni për më shumë se dy javë, pasi mund të shkaktojë mungesë të lëndëve ushqyese./ h.ll/albeu.com


Shtuar 25.12.2021 19:22