Ndeshja “fantazmë” e Salernitanës mund të jetë e fundit e udhëtimit të mahnitshëm deri në Serie A

Të martën në stadiumin “Dacia Arena” ishin të paktën 16 tifozë të Salernitanas. Nuk bëhet fjalë për angazhim të vogël, ishte udhëtim vajtje-ardhje prej 1.600 kilometrash për të mbështetur një ekip që qëndron në fund të renditjes.

Grupi i tifozëve shkoi në Udine, duke e ditur se nuk do të kishte një ekip për ta mbështetur. Salernitana ishte ndaluar të udhëtonte pasi dy lojtarë rezultuan pozitivë me COVID, së bashku me një anëtar të stafit. Vendimi u mor nga autoriteti lokal shëndetësor në Salerno, jo nga Federata Italiane e Futbollit, që do të thotë se ndeshja e tyre në Udine, në veri-lindje të Italisë, nuk u anulua zyrtarisht.

Ishte kjo një përsëritje e ndeshjeve të pazhvilluara, mes Juventusit dhe Napolit tetorin e vitit të kaluar, dhe Lazios dhe Torinos në mars të këtij viti.

Skuadra vendase u shfaq, paraqiti një formacion dhe madje e postoi atë në rrjetet sociale. Pastaj lojtarët prisnin. 45 minuta pasi ishte planifikuar të fillonte ndeshja, gjyqtari Giacomo Campione i fryu tre herë bilbilit për të mbyllur shakanë. Të gjithë po bënin atë që duhej, duke ndjekur rregullat siç ishin shkruar, por këto skena provokuan një ndjenjë të hidhur. Ndeshjet Juventus – Napoli dhe Lazio – Torino u luajtën përfundimisht në datat e mëvonshme, por vetëm pas proceseve të gjata të apelimit dhe argumenteve se pse disa ekipe ishin detyruar t’i vazhdonin garat me skuadrat e shkatërruara nga virusi, ndërsa të tjerat morën një afat.

Departamenti i drejtësisë i Lega Serie A deri më tani ka refuzuar të marrë një vendim nëse kjo ndeshje duhet të jepet si një fitore e dytë për Udinesen apo të riplanifikohet për një datë të mëvonshme. Nuk ka kuptim për ta bërë këtë derisa përgjegjësit ta dinë nëse Salernitana do të luajë ndonjë ndeshje tjetër në Serie A.

Klubi ka afat deri më 31 dhjetor për të gjetur një pronar të ri ose do të përjashtohet nga liga. Promovimi i skuadrës në Serie A këtë edicion krijoi konflikt interesi, pasi Salernitana është në bashkëpronësi të Claudio Lotitos, pronar i Lazios. Kjo është një rrëmujë prej 10 vjetësh. Lotito e ringjalli Salernitanan së bashku me një biznesmen tjetër, Marco Mezzaroman, pasi klubi falimentoi në vitin 2011 dhe mbikëqyri ngritjen nga Serie D, me Lazion që shpesh i dërgonte lojtarë të rinj në huazim për të fituar përvojë. Rregullat e Federatës Italiane të Futbollit në atë kohë i ndalonin individët të zotëronin më shumë se një klub brenda divizioneve profesionale – nga Lega Pro e lart. Por, kur Salernitana u promovua në atë nivel në vitin 2012, Lotitos iu bë një përjashtim.

Përplasjet e mundshme me Lazion në Kupën e Italisë u shmangën duke besuar në probabilitetin që të dyja nuk do të shkonin në finale. Edhe vetë presidenti i federatës, Gabriele Gravina, ka pranuar se “të gjithë e dinin se çfarë do të ndodhte”, kur Salernitana më në fund do të kalonte në Serinë A. Nuk mund të kishte më anashkalim të rregullave për të lejuar një person të zotërojë dy skuadra në të njëjtin divizion. Lotito u lejua të dorëzonte klubin me kusht që ai të shitej deri në fund të dhjetorit. Pyetja se si u lejuan gjërat të shkonin deri këtu, mbetet shqetësuese. Rregullat që atëherë janë ndryshuar për të parandaluar përsëritjen. Në rastin e Salernitanas, Gravina ka qenë i qartë se nuk mund të ketë zgjatje të mëtejshme. Nëse nuk gjendet blerës, skuadra do të përjashtohet nga Seria A.

Ai mbeti optimist këtë javë, duke thënë se “vë bast se një blerës do të gjendet në 10 ditët e ardhshme” dhe duke e deklaruar si të paimagjinueshme që askush nuk do të ishte i gatshëm të investonte në një “klub të shëndoshë”.

Ata tifozë që udhëtuan në “Dacia Arena” të martën mbrëma do të donin t’u besonin fjalëve të Gravinas. Ata shpalosën një pankartë me një lutje, “Free Salernitana”.

Pjesa tjetër e ligës mund vetëm të shikojë dhe të presë. Do të kishte një ndikim negativ për të gjithë nëse Salernitana do të përjashtohej, me rezultatet e deritanishme që do të fshihen, ndonëse ndikimi në renditje do të ishte modest.

Klubi ka luftuar shumë pas rikthimit në kategorinë e parë pas 23 vjetësh larg, duke mbledhur tetë pikë nga 19 ndeshje, pavarësisht transferimit të Franck Riberyt në shtator. Është një situatë që të gjithë do të preferonin ta shmangnin. Ka mjaft ankth edhe për rastet me COVID te Salernitana dhe implikimet e mundshme të variantit Omicron. Deri këtë javë shpresa në Itali kishte qenë se një shkallë e lartë vaksinimi mund ta mbante ligën të funksiononte pa probleme.

“La Repubblica” raportoi në tetor se 98 për qind e lojtarëve të Serie A kishin marrë nga dy vaksina – përqindja më e madhe në pesë ligat më të mira të Evropës. Deri të martën, vetëm 19 lojtarë kishin rezultuar pozitivë gjatë gjithë sezonit. Gjysma e skuadrave nuk kishin përjetuar një rast të vetëm. Por rritja e numrit të infeksioneve në të gjithë vendin po ngjallte shqetësim edhe përpara se Salernitana të urdhërohej të qëndronte në shtëpi. Në fillim të këtij muaji, qeveria shtrëngoi kufizimet për tifozët që ndiqnin ndeshjet, duke u kërkuar atyre që t’i plotësonin kriteret e “Super Green Pass”, duke marrë dy doza ose të ishin të rikuperuar nga COVID-i në gjashtë muajt e mëparshëm. Masa të mëtejshme të qeverisë mund të përfshihen, megjithëse Seria A është në pushim deri më 6 janar. Pjesëmarrja në ndeshjet e Serie A është kufizuar në 75 për qind të kapacitetit të stadiumit që nga tetori, nga 50 për qind në fillim të fushatës. Në praktikë shumë klube nuk po i arrijnë këta kufij me praninë e tifozëve.

Këto shqetësime nuk i errësuan plotësisht ndeshjet e fundit të Serie A të vitit 2021. Interi konfirmoi një vit të shkëlqyer duke mundur Torinon, 1:0. Me këtë fitore, Interi veçse e konfirmoi titullin e “kampionit të dimrit”.

“Tani u përshtatet të gjithëve të thonë se Interi është një ekip i fortë, por kjo nuk ishte ajo që njerëzit thoshin në verë”, ka pranuar trajneri i Interit, Simone Inzaghi.

Ai e ka çuar skuadrën në lartësi të reja qëkur pasoi Antonio Conten. Madje, gjeti mënyra për t’i riintegruar dhe për të përfituar sa më shumë nga lojtarët që kishin rënë në formë, si Alexis Sanchez dhe Arturo Vidal.


Shtuar 25.12.2021 08:34