Rangnick angazhon psikolog sportiv për t’i ndihmuar lojtarët e Man United

Ralf Rangnick njoftoi të martën se Manchester Unitedi tashmë ka angazhuar një psikolog sportiv, të cilin e ka kërkuar personalisht për t’u siguruar që lojtarët e tij “të mendojnë në mënyrën e duhur”.

Gjermani 63-vjeçar, i cili është emëruar trajner i përkohshëm i Unitedit deri në fund të sezonit, e nisi aventurën e tij në “Old Trafford” në mënyrën më të mirë të mundshme – me fitore 1:0 ndaj Crystal Palacet të dielën e shkuar.

Rangnick ka konfirmuar se Chris Armas, ish-menaxheri i skuadrës nga MLS-ja, New York Red Bulls dhe Toronto FC, do t’i bashkohet te Unitedi si ndihmës, me Sascha Lensen që do të vijë si psikolog sportiv i klubit. Rangnick thotë se angazhimi i psikologut sportiv ka qenë i domosdoshëm dhe për këtë i kishte paralajmëruar krerët e Unitedit në fillim të negociatave. Ai në krye të ekipit anglez e ka zëvendësuar Ole Gunnar Solskjaerin e shkarkuar për shkak të rezultateve të dobëta, dhe nuk dëshiron që të përjetojë një përvojë të tillë gjatë këtij edicioni.

“Në Gjermani në dy vjetët e fundit shumica e klubeve kanë punësuar një psikolog sportiv ose trajner mendor, sido që të dëshironi t’i quani ata. Për mua është absolutisht logjike. E kisha dikë të tillë, Hans-Dieter Hermannin, psikolog aktual sportiv i Gjermanisë, në vitin 1998 në Ulm. Ne ishim ndoshta klubi i parë në Gjermani që kishim punësuar ndonjëherë një psikolog sportiv”, ka zbuluar Rangnick. “Për mua është vetëm një çështje logjike. Dua të them, nëse keni trajnerë të veçantë për portierë, përgatitje fizike, madje edhe për sulmues. Kështu që, atëherë duhet të keni edhe një ekspert për trurin”.

Rangnick, i cili shpreson që aventura e tij te Manchester Unitedi do të jetë e suksesshme, foli edhe për nevojën për ta “stërvitur trurin e futbollistëve” dhe beson se ardhjet e reja të trajnerëve do t’i ndihmojnë lojtarët që të adaptohen sa më shpejt me mënyrën e tij të punës.

“Ka të bëjë me fitimin e besimit, duke besuar në mënyrën se si po luajmë”, tha ai. “Lojtarët duhet të binden. Unë duhet që me punën time dhe këshillat e mia të futem në zemrën, trurin dhe gjakun e tyre. E këtë do ta bëj nëpërmjet psikologut sportiv që do të më ndihmojë shumë në këtë aspekt”, shtoi Rangnick. “Jo vetëm lojtarët, por edhe stafi dhe gjithë të tjerët në klub duhet të mendojnë në mënyrën e duhur”.

Rangnick ka thënë se e njeh shumë mirë psikologun sportiv që e ka angazhuar, pasi me të ka punuar në të shkuarën dhe suksesi nuk i ka munguar. Sipas tij, Lensen do të jetë pjesë e stërvitjeve të përditshme të lojtarëve të Manchester Unitedit.

“Sascha nuk punon në teori, ai do të jetë në praktikë. Pra, do të jetë pjesë e stërvitjeve tona dhe aty do të merret me trurin e lojtarëve. Kam punuar me të shumë te Leipzigu dhe e di që Unitedi mund të përfitojë shumë nga përvoja e tij. Për mua puna e psikologut sportiv është më e vështira në botën e futbollit”, është shprehur Rangnick.

Manchester Unitedi të mërkurën mbrëma luan ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. E pret në shtëpi skuadrën e Young Boysit, e cila e pati mposhtur në xhiron e parë në Zvicër me rezultatin 2:1. Me fitore eventuale, Manchester Unitedi do të avancojë në fazën e nokautit si lider i Grupit F. Rangnick ka thënë se është e rëndësishme që të fitohet kjo ndeshje, e cila do të jetë e dyta në krye të Unitedit.


Shtuar 7.12.2021 22:36