Priten ndryshime në Kodin e Familjes: Nuk duhet martesë për të birësuar një fëmijë! (FOTO LAJM)

Kodi i Familjes mund të pësojë disa ndryshime pas kërkesës që shumica parlamentare ka depozituar në Kuvend lidhur me birësimin.

Maxhoranca ka propozuar dhe një projektligj për birësimin ku kërkon t’u njihet e drejta personave që nuk janë të martuar të bëjnë birësimin e të miturve.

Sipas Kodit të Familjes, pralegjislacionit aktual, vetëm një çift i martuar ka të drejtë të birësojë një fëmijë të mitur. Në propozimin e ri të Qeverisë kjo e drejtë u njihet edhe personave single apo personave që bashkëjetojnë dhe këtë e kanë të ligjëruar me një kontratë noteriale.

Neni 242 i Kodit aktual të Familjes thotë se i mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë. Kurse në nenin 163 të Kodit aktual të Familjes kuptimi i bashkëjetesës është i tillë: “Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”. Në propozimin e ri shtohet edhe birësimi nga një person i vetëm apo një nga çift që bashkëjeton prej 3 vitesh.

“Neni 242 i mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163, të këtij Kodi, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet”, thotë propozimi i qeverisë.

Në relacionin e projektligjit jepen dhe arsyet pse po kërkohen këto ndryshime. Arsye jepet evoluimi i shoqërisë shqiptare ndaj do ishte e drejtë që dy heteroseksualëve tu njiheyt e drejta të birësojnë një fëmijë, edhe nëse nuk janë të martuar. Megjithatë nuk përmendet në asnjë pjesë prcesi i birësimit nga një person i vetëm.

“Nisur nga evoluimi i shoqërisë shqiptare drejt pranimit të bashkëjetesës jashtë martesës, nga rritja e numrit të bashkëjetesave, si edhe nga fakti që bashkëjetesa e vazhdueshme dhe e qëndrueshme e një burri dhe një gruaje njihet si formë e krijimit të familjes nga legjislacioni shqiptar, është vlerësuar nga hartuesit e këtij projekt-akti t’u njihet e drejta për të birësuar një të mitur së bashku edhe dy bashkëjetuesve heteroseksualë, që janë të angazhuar në një bashkëjetesë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, sipas kuptimit që neni 163 i Kodit i jep bashkëjetesës. Kjo zgjidhje është në përputhje me standardet e vendosura nga Konventa e rishikuar e KiE-së “Për birësimin e fëmijëve”, e vitit 2008. Sipas pikës 2, të nenit 7, të Konventës, shtetet janë të lira ta shtrijnë birësimin edhe për çiftet heteroseksuale që bashkëjetojnë në një bashkëjetesë të qëndrueshme. Kjo nuk është një normë detyruese e Konventës”, thuhet në relacionin e propozimit për ndryshimin e Kodit të Familjes.

Nuk është e lehtë për të ndërmmarë një ndryshim të tillë pasi të ndryshosh Kodin e Familjes duhet të mbledhësh 84 vota, gjë që kërkon një konsensus me maxhorancës dhe opozitës në Kuvend.

Opozita ka ngritur shqetësimet e  saj për këtë nismë pasi  sipas tyre synon të asgjësojë konceptin e familjes, duke i lejuar birësimin nga një person i vetëm apo nga persona që nuk janë të martuar ligjërisht, por që bashkëjetojnë në bazë të një marrëdhënie noteriale. Pritet që të ketë debatë të gjata në Parlament duke qënë se kjo nismë bie ndesh me kërkesën e vjetër të komuniteteve të caktuara për të birësuar.

Reagime të forta zgjoi formulari i aplikimit në çerdhe apo kopshte ku termat “nënë” dhe “baba” zëvendësosheshin me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, si një kërkesë e propozuar nga komuniteti LGBTQI. Ndërkohë që Bashkia ka mohuar ekzistencën e tyre, reagimet e komuniteteve fetare dhe qytetarëve ishin shumë të forta çfarë të bën të mendosh që edhe për kërkesën mbi birësimin do ketë kundërshti.

 


Shtuar 29.10.2021 17:53