Partia Demokratike ka publikuar sot paketën e plotë të propozimeve për ndryshimet në Kushtetutë, ku mes të tjerave ka kërkuar edhe rikthimin e Komunave.
Në amendamentin për Reformën Territoriale, PD kërkon që Bashkitë të administrojnë zonat urbane, ndërsa komunat të përfshijnë territoret kryesisht rurale.
“1. Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat, bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj.
3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore”, thuhet në amendamention e PD-së.
Vetting i politikanëve
Demokratët propozojnë që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur personat që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar.
Fjalia e parë, e pikës 3 të nenit 45, ndryshohet si më poshtë vijon:
“3. Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit./