Qarkullonin me tritol me vete, një i arrestuar dhe një në kërkim në Kukës

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe lëndëve plasëse, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative se në një mjet kishte lëndë plasëse eksploziv, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në afërsi të fshatit Myç-Mamëz, mjetin tip “Benz” me të cilin udhëtonin shtetasit K. N. dhe Sh. R.

Drejtuesi i mjetit shtetasi, Sh. R., sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka braktisur automjetin dhe ka mundur të  largohet

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kg e 400 gramë lëndë plasëse e dyshuar eksploziv.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit K. N., 31 vjeç, banues në fshatin Qinamak, i cili ishte pasagjer në automjetin ku u gjet lënda eksplozive.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit Sh. R., 30 vjeç, banues në fshatin Qinamak dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, municioneve luftarake apo lëndëve plasëse”, kryer në bashkëpunim.


Shtuar 5.10.2021 11:10

Tags: ,