Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj deklaroi se në Kuvend u kthye ligjshmëria, pas vendimit për zhvillimin fizikisht të Komisioneve Parlamentare.
Në një deklaratë jashtë Kuvendit, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Rushaj tha se në seancën plenare të 14 tetorit, kur do të mblidhet dhe Kuvendi i Shqipërisë do të diskutohet dhe për tre komisionet hetimore.
Prononcimi i plotë:
Alfred Rushaj: Vendimi që u mor sot në Konferencën e Kryetarëve kishte të bënte me kthimin e ligjshmërisë për sa i përket komisioneve të përhershme parlamentare. Pas kërkesave tona, pas përpjekjeve tona për të vendosur ligjshmërinë në lidhje me punën që opozita duhet të bëjë në komisionet parlamentare, sot u ra dakord përfundimisht, formalisht që komisionet e përhershme parlamentare të bëhen ashtu siç rregullorja e parashikon me prezencë fizike, natyrisht duke respektuar çdo lloj rregulli dhe protokolli të sigurisë për sa i përket masave anticovid. Po kështu u diskutua dhe ra dakord që të tre komisionet hetimore që opozita ka paraqitur në Kuvend të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim dhe miratim. Ne paraqitëm kërkesën tonë në përputhje me ligjin, në përputhje me Kushtetutën dhe pa dyshim i bëmë të qartë deputetëve të Partisë Socialiste që e drejta e opozitës për të ngritur Komisionet Hetimore, e drejta e opozitës për të caktuar objektin e hetimit është e patjetërsueshme dhe ne do ta respektojmë.
Pyetje: A e pranoi Partia Socialiste objektin e hetimit për të tre komisionet?
Alfred Rushaj: Nuk kishte diskutime në lidhje me kufizimin e objektit hetimor të ndonjë prej komisioneve. Ajo çfarë u ra dakord është në seancën e mbledhjes së datës 14 tetor këto komisione të kalojnë në seancë plenare. Pa dyshim ne nuk tërhiqemi nga ajo çfarë Kushtetuta apo jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur në lidhje me objektin e komisioneve hetimore.
Pyetje: Janë rritur të gjitha Çmimet e produkteve të shportës, opozita propozon plan me shtatë pika, a nuk mendoni se duhet t’i thërrisni njerëzit në protestë. Nuk ka arsye?
Alfred Rushaj: Patjetër që do të flasim edhe për këtë./albeu.com