Ditën e djeshme në Rusi u zhvillua dasma e parë mbretërore që nga revolucioni bolshevik i vitit 1917, që përmbysi monarkinë Romanov.
Duka i Madh George Mikhailovich Romanov, 40 vjeç dhe e fejuara e tij italiane Rebeça Virginia Bettarini, 39 vjeç, i kanë thënë po njëri-tjetrit në katedralen e Shën Isakut në prani të dhjetëra mbretërve europianë.
Mes të ftuarve ishte edhe çifti mbretëror i Shqipërisë, Princ Leka II dhe Princeshë Elia Zaharia.
Princesha Elia kishte veshur një kostum ngjyrë bojë-qielli, të kombinuar me një kapele, ndërsa Princ Leka kishte zgjedhur si gjithmonë një kostum klasik.
Dasma e fundit në Rusi e një trashëgimtari të Romanovëve ishte ajo e Nikollës II dhe Aleksandrës, 127 vjet më parë.
Të varrosur pas ekzekutimit të tyre në një vend të mbajtur prej kohësh të fshehtë nga autoritetet sovjetike, trupat e tyre dhe fëmijëve u transferuan në 1998 në Katedralen Pjetër dhe Pal në Shën Petersburg.
Romanov, i cili u diplomua në Oksford dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Francë, u takua me Bettarinin në Bruksel, ku punoi në Parlamentin Evropian. Ai gjithashtu mbajti punë në gjigantin rus të minierave Norilsk Nickel.