Kreu i PAA-së Agron Duka u shpreh në “Log.” se nuk kishte qenë në dijeni në lidhje me vendimin e Grupit Parlametar të PD-së për të grisur fletët e votimit kur po zgjidhej kryetarja e Kuvendit. Sipas Dukës, ai nuk ishte njoftuar për këtë gjë dhe një moment panë që deputetët demokratë filluan të grisnin fletët e votimit tek kutia.
Ndërkohë që Flamur Noka shprehet se nuk do të vendoste për shkarkimin e Berishës edhe sikur t’ia vinin pistoletën në kokë, Duka tha se ai ishte një vendim i vështirë i Bashës, të cilin ai vetë nuk do ta merrte dot.
“Unë vetë po të kisha qenë në pozicion të tillë nuk e marr dot një vendim. Është një vendim që e marrin politikanët e suksesshëm, por nuk jam një politikan i suksesshëm. Por që të jesh duhet të marrësh vendime të tilla. Opozita është dobësuar ama. Ne nuk po merremi vesh në asnjë lloj vendimi. Nuk dinim gjë çfarë vendimi kanë marrë këta për kryetaren e Kuvendit, dhe ne u detyruam të marrim vendime individual kur shkuam për të votuar. Aty pamë që po grisnin fletët e votimit”, tha Duka duke kundërshtuar edhe Nokën për akuzat ndaj Bashës.
“Unë nuk jam dakord me akuzat që bën Flamuri tani. Pse nuk i thatë me parë ju këto? Brenda 24 orëve u bindët ju që Basha paska bërë këto gabime? Unë i kam thënë për shembull që ishte gabim Reforma Territoriale, etj”, tha ai. /abcnews.al