Zv-kryeministri me origjinë shqiptare në Malin e Zi, Dritan Abazoviç, ka kërcënuar se do të rrëzojë qeverinë pro-serbe që qeveris atje.
Mosmarrëveshjet mbi mënyrën si u trajtuan protestat e dhunshme fundjavën e kaluar kanë zgjeruar përçarjet në koalicionin e brishtë qeverisës të Malit të Zi.
Abazoviç tha se protestat u shtypën me brutalitet dhe kjo sjellje nuk i shërben demokracisë në vend.
Fjala e plotë e tij:
Zv.kryeministri malazez Dritan Abazoviç kërcënoi se do të rrëzonte qeverinë e koalicionit, nëse ministri i Brendshëm Sergej Sekuloviç dhe shefi i policisë Zoran Brdjanin shkarkohen, siç kanë kërkuar partnerët e tij në qeveri.
Me katër vende në parlament, koalicioni i Abazoviçit, “E zeza në të bardhë”, është anëtari më i vogël i koalicionit qeverisës prej 41 anëtarësh, i cili ka një shumicë prej vetëm një anëtari në parlamentin e përbërë nga 81 vende.
“I kam thënë kryeministrit dhe kolegëve të mi në qeveri disa herë që ata po e teprojnë. Ka mundësi të mos kemi një ministër të ri të brendshëm, por do të kemi një kryeministër të ri. Unë do të rrëzoj qeverinë”, tha Abazoviç për televizionin lokal Vijesti. “Nuk do ta mbështes më qeverinë, nëse nëse mendoj se ata po bëjnë diçka që është e padrejtë”, shtoi ai.
Kriza e fundit politike në kampin e shumicës qeverisëse erdhi pas protestave të dhunshme në Cetinje, kryeqytetin e vjetër mbretëror të Malit të Zi, të dielën e kaluar, pasi përkrahësit e opozitës dhe grupet e vetëshpallura patriotike u përleshën me policinë, duke u përpjekur të ndalonin emërimin e një serbi të ri në krye të mitropolitit të Kishës Ortodokse.
Ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe për të hequr barrikadat që ishin ngritur pranë Cetinjes, Patriarku Ortodoks serb Porfirije dhe Mitropoliti i ri, Joanikije, u desh të transportoheshin në Cetinje me helikopterë të ushtrisë.
Protestuesit pretenduan se vendi i inaugurimit në Cetinje ishte një fyerje për luftën e Malit të Zi për sovranitetin dhe pavarësinë nga Serbia, me të cilën ai u bashkua nga fundi i Luftës së Parë Botërore deri në 2006.
Abazoviç e bëri kërcënimin e tij pasi kryeministri Zdravko Krivokapiç akuzoi ministrin e brendshëm dhe shefin e policisë për hezitim për të shpërndarë protestat kundër emërimit të mitropolitit të ri serb.
Më 7 shtator, Krivokapiç njoftoi një hetim të brendshëm në polici, duke paralajmëruar se “askush nuk do të kursehet, pavarësisht se çfarë pozicioni kanë apo se cila parti politike e mbron atë”.
“Nëse dikush mendon se policia malazeze duhet të menaxhohet në një mënyrë që ne të mund të kemi përfitime politike, kjo nuk do të ndodhë në kurrizin tim,” u përgjigj Abazoviç.
Por dy blloqet e tjera në qeveri kanë kërkuar një hetim, duke akuzuar ministrin e brendshëm dhe kreun e policisë se kanë refuzuar të zbatonin vendimet e qeverisë për protestën në Cetinje.
Partneri më i madh në qeverinë e koalicionit, Fronti Demokratik pro-serb, i bëri thirrje kryeministrit të shkarkojë Sekuloviçin dhe Brdjanin.
Një tjetër parti partnere, Mali i Zi Demokratik, e sfidoi Abazoviçin të rrëzonte kryeministrin, nëse guxonte. “Forca! Rrëzojeni qeverinë, nëse keni guxim. Sigurisht që nuk keni guxim dhe kërcënimet tuaja janë thjesht një blof, si shumë herë më parë”, tha ajo në një deklaratë për shtyp të premten.
Koalicioni i lëkundur i Malit të Zi u përball me telashe më parë kur Fronti Demokratik e akuzoi Krivokapiçin për bashkëpunim të dobët me partitë në pushtet gjatë emërimit të zyrtarëve të policisë dhe propozimeve të ligjeve.
Qeveria u formua më 4 dhjetor të vitit të kaluar, pasi tre blloqe, Për të ardhmen e Malit të Zi, Paqja është kombi ynë dhe E zeza në të bardhë, fituan një shumicë të ngushtë në parlament në zgjedhjet vendimtare në gusht që i dhanë fund sundimit prej tri dekadash të Partisë Demokratike të Socialistëve./albeu.com