Chelsea u detyrua të paguajë mbi 31.2 milionë euro për shkarkimin e italianit Antonio Conte nga posti i trajnerit.
Raporti i fundit financiar i klubit londinez dëshmon se ata ia dhanë mbi 30 milionë euro dëmshpërblim trajnerit Conte, ndërsa shpenzuan para edhe për seancat gjyqësore.
Conte u shkarkua nga Chelsea në korrik të vitit 2018, dy vjet pasi ishte emëruar në atë pozitë. Më vonë, klubi anglez vendosi ta zëvendësojë atë me Maurizio Sarrin.
Ish-mesfushori italian Conte arriti ta fitojë titullin e Premierligës me Chelsean në vitin 2017, mirëpo u shkarkua një vit më vonë, kur i kishin mbetur edhe 12 muaj kontratë. Ai u shkarkua pasi Chelsea mbeti i pesti në ligë dhe s’arriti të kualifikohej në Ligën e Kampionëve.
Conte për momentin është duke e drejtuar skuadrën e Interit, ndërsa me Chelsean kishte arritur ta fitojë edhe FA Cup, duke e mposhtur Manchester Unitedin në finale.
Raporti financiar dëshmon se Chelsea i ka shpenzuar rreth 100 milionë euro dëmshpërblim për trajnerët e shkarkuar që nga viti 2004, kur Roman Abramovich e mori pronësinë e klubit.