Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ka dënuar publikisht gjuhën fyese të përdorur ndaj Bashkim Jasharit, duke e cilësuar atë si të papranueshme, skandaloze dhe të turpshme.
Gucati ka deklaruar se sulmet verbale ndaj Jasharit, pjesëtar i familjes emblematike Jashari, nuk përbëjnë vetëm mungesë respekti ndaj tij, por prekin edhe sakrificën e një familjeje që dha gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Të lidhura
None found
“Është e papranueshme, skandaloze dhe e turpshme që një person si Bashkim Jashari, i cili vjen nga familja heroike dhe emblematike Jashari, të quhet ‘palaqo’ dhe të fyhet. Kjo është familja që sakrifikoi gjithçka, deri te më i vogli, për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot”, ka shkruar ai.
Sipas kreut të OVL-UÇK-së, një komunikim i tillë pasqyron vogëlsi, mosmirënjohje dhe shpërfillje ndaj historisë dhe sakrificës kombëtare.
Ai ka nënvizuar se mbiemri Jashari nuk është thjesht një emër familjar, por mbart simbolikën e lirisë, krenarisë dhe amanetit kombëtar.
Gucati u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të reagojnë ndaj kësaj gjuhe dhe të marrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës.
“Organet e drejtësisë duhet të veprojnë pa hezitim përballë kësaj gjuhe të ulët dhe të papranueshme. OVL-UÇK e dënon fuqishëm këtë gjuhë skandaloze e të turpshme dhe do të qëndrojë në mbrojtje të dinjitetit të vlerave tona dhe të atyre që sakrifikuan për këtë vend”, ka theksuar Gucati.
Në përmbyllje, ai ka kujtuar sakrificën e madhe mbi të cilën u ndërtua liria dhe ka kërkuar respekt për familjen Jashari dhe kontributin e saj.
“Liria nuk u dhurua, por u pagua me gjak. Të respektosh familjen Jashari do të thotë të respektosh vetë lirinë tonë!”, ka përfunduar Gucati.







