Vdekja e Kristian Josip Perish, 32 vjeç, në klinikën psikiatrike “Sveti Ivan” në Zagreb ka shkaktuar tronditje në Kroaci dhe ka hapur një hetim mbi mënyrën se si trajtohen pacientët në këtë institucion.
Perish, ish-sportist dhe trajner, humbi jetën më 21 tetor 2026, ndërsa ndodhej i shtruar në klinikën e zonës së Jankomirit. Çështja u bë publike pas transmetimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, ku shfaqet personeli duke përdorur forcë ndaj 32-vjeçarit, i cili ishte i lidhur në shtrat. Në një prej momenteve të regjistruara, një anëtar i stafit shihet teksa i vendos një jastëk mbi fytyrë.
Të lidhura
None found
Publikimi i videove nxiti reagime të shumta. Rreth 70 persona iu drejtuan redaksisë së emisionit “RTL Direkt”, duke deklaruar se gjatë trajtimit në të njëjtën klinikë kishin përjetuar dhunë fizike ose psikologjike.
Një pjesë e tyre kanë zgjedhur të flasin publikisht për përvojat e tyre, duke ngritur dyshime për respektimin e protokolleve të sigurisë dhe standardet e kujdesit ndaj pacientëve. Në kuadër të hetimit, katër teknikë mjekësorë janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim, pasi dyshohen për vrasje të rëndë të një personi të pambrojtur. Procedurat hetimore janë shtrirë edhe ndaj punonjësve të tjerë që ndodheshin në vendngjarje.
Sipas avokatit të familjes, pamjet dhe provat e mbledhura tregojnë se 32-vjeçari është goditur dhe i është ushtruar presion fizik. Ai ka pësuar edhe fraktura në brinjë. Megjithatë, përcaktimi përfundimtar i shkakut të vdekjes pritet të bëhet pas përfundimit të ekspertizës mjekoligjore.
Ngjarja ka sjellë protesta në Zagreb, si edhe në qytete të tjera të Kroacisë. Mijëra persona janë mbledhur në kryeqytet, duke kërkuar që rasti të hetohet deri në fund dhe përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.
Pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e çështjes, nga detyra janë larguar drejtuesja e klinikës, zëvendësja e saj dhe ndihmësi përgjegjës për shërbimin infermieror.
Inspektorët shëndetësorë kanë konstatuar mangësi në regjistrimin e masave të kufizimit fizik të pacientit. Ata kanë vërejtur gjithashtu vonesa në kontrollin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe në njoftimin e autoriteteve për ngjarjen. Hetimi vijon për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes së Kristian Josip Perish dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e stafit të klinikës.





