Institucionet e Kosovës do të vijojnë punën për fuqizimin e ushtrisë, ndërsa objektivi mbetet anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO, së bashku me aleatët dhe partnerët e saj. Kështu deklaroi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, gjatë ceremonisë qendrore të organizuar për Ditën e Forcës në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku u shfaqën pajisjet dhe kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Duke folur për zhvillimin e FSK-së, Haxhiu e cilësoi krenari forcimin e vazhdueshëm të saj dhe pajisjen me armatim. Ajo tha se uniformat e vajzave dhe djemve të FSK-së e kujtojnë përherë sakrificën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk jetuan për ta parë fuqizimin e sotëm të ushtrisë.
Të lidhura
None found
Kryetarja e Kuvendit iu referua edhe fëmijëve të pranishëm në ceremoni, duke shprehur mundësinë që një pjesë e tyre, në të ardhmen, t’i bashkohen ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Haxhiu përshëndeti 27 Nëntorin, Ditën e Forcës, si dhe 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit. Ajo shprehu nderim dhe respekt për të gjithë ata që sakrifikuan jetën në mënyrë që Kosova të jetë sot shtet i lirë dhe i pavarur.
Pajisjet e FSK-së u ekspozuan për qytetarët në Ditën e Forcës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se FSK-ja e ka arritur numrin e nevojshëm të pjesëtarëve, i cili ishte planifikuar të plotësohej deri në vitin 2028. Ndërkohë, presidentja Justina Shiroka-Pula, në mesazhin e saj me rastin e Ditës së Forcës, tha se institucionet do të vijojnë ndërtimin e një ushtrie moderne dhe profesionale.
Qytetarët patën mundësi të vizitonin kazermat e FSK-së nga ora 10:00 deri në 13:30. Dyert u hapën në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin, Prishtinë dhe Prizren, ku vizitorët panë nga afër pajisjet, kapacitetet ushtarake dhe personelin.
Dita e Forcës shënohet çdo vit më 27 nëntor, një ditë përpara Ditës së Flamurit.





