Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK) tashmë është anëtare zyrtare e Këshillit të Arkitektëve të Evropës (ACE).
Anëtarësimi u miratua më 26 nëntor në Bruksel, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të ACE-së.
Të lidhura
None found
Pas këtij vendimi, arkitektët e licencuar në Kosovë do të përfaqësohen në ACE edhe përmes institucionit përgjegjës për rregullimin e ushtrimit të profesionit në vend.
Gjatë prezantimit të OARK-së para Asamblesë, kryetarja Mimoza Haxhija Jedrashi foli për përvojën e Kosovës në krijimin e Odës dhe zhvillimin e sistemit të licencimit.
Ajo theksoi se një nga përparësitë është bashkëpunimi me odat homologe evropiane, me qëllim përgatitjen e arkitektëve të rinj për tregun e profesionit dhe vlerësimin e kualifikimeve të tyre.
“Për arkitektët që punojnë në Kosovë, ky bashkëpunim ka rëndësi edhe për mënyrën si organizohen konkurset publike të arkitekturës dhe si përzgjidhen projektet mbi bazën e cilësisë. Për ata që synojnë të punojnë jashtë vendit, lidhja me odat homologe mund të ndihmojë në sqarimin e procedurave për njohjen e kualifikimeve dhe të kushteve që përcakton shteti pritës për ushtrimin e profesionit”, u shpreh ajo.
E themeluar në janar 2025, OARK ka mandat ligjor për licencimin e arkitektëve, administrimin e regjistrit publik, kontrollin e standardeve profesionale dhe organizimin e edukimit të vazhdueshëm.







