Pas mbi dy vitesh diskutime dhe negociata, Parlamenti Europian ka dhënë miratimin për reformën e legjislacionit farmaceutik të Bashkimit Europian.
Ndryshimet synojnë të përditësojnë rregullat për barnat dhe të përmirësojnë shëndetin publik në Europë. Në të njëjtën kohë, reforma vendos përgjegjësi më të mëdha mbi kompanitë farmaceutike, me qëllim rritjen e aksesit të pacientëve në medikamente, parandalimin e mungesave dhe krijimin e një tregu më të drejtë e konkurrues për industrinë.
Të lidhura
None found
Një prej kërkesave kryesore është që kompanitë të garantojnë furnizim të vazhdueshëm me barna, veçanërisht me ato jetike. Autoritetet do të pajisen gjithashtu me më shumë mundësi për të ndërhyrë në rastet kur furnizimi për pacientët vihet në rrezik.
Paketa e re përfshin edhe masa për nxitjen e kërkimit shkencor për trajtime të reja. Në fokus janë antibiotikët, në një kohë kur lufta kundër antibiotiko-rezistencës konsiderohet e humbur, si dhe barnat për sëmundjet e rralla dhe terapitë pediatrike.
Reforma synon paralelisht të lehtësojë futjen e barnave gjenerike në treg. Përmes forcimit të konkurrencës, pritet të krijohen më shumë mundësi për trajtime me kosto më të përballueshme.
Megjithatë, miratimi i legjislacionit nuk nënkupton zbatim të menjëhershëm të të gjitha ndryshimeve. Shumica e rregullave do të fillojë të zbatohet pas një periudhe tranzicioni, ndërsa disa masa do të hyjnë në fuqi më herët.








