Në ceremoninë e zbulimit të lapidarit kushtuar ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i biri i tij, Altin Krasniqi, u shpreh thellësisht mirënjohës për përkrahjen që familja e tij ka marrë nga qytetarët, duke theksuar se pikërisht kjo mbështetje u jep forcë për të ecur përpara.
“Në emër të familjes sonë, ju shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen, respektin dhe vlerësimin që ia keni dëshmuar vazhdimisht familjarit, kushëririt dhe mikut tuaj, Jakup Krasniqit. Për ne, kjo mbështetje ka një domethënie të veçantë. Ajo na jep forcë dhe na dëshmon se respekti, solidariteti dhe mirënjohja e njerëzve mbeten të palëkundura edhe në kohët më të vështira”, deklaroi ai gjatë fjalës së tij.
Të lidhura
None found
Më tej, Krasniqi u shpreh i bindur se drejtësia do të fitojë në fund dhe se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së do të rikthehen sa më shpejt në Kosovë, pranë vendeve të tyre.
“Shpresoj dhe besoj se drejtësia do të triumfojë dhe të gjithë çlirimtarët do të kthehen sa më parë në atdheun e tyre, pranë familjes dhe njerëzve të tyre. Faleminderit nga zemra të gjithëve”, përfundoi ai.






