Dy ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Edi Rama, po shfaqin përplasje që mund të nxisin pakënaqësi mes votuesve socialistë, por sipas gazetarëve nuk ka ende shenja të një lëvizjeje të strukturuar që do të rrezikonte dominimin e tij mbi Partinë Socialiste.
Kryeministri Edi Rama, po i afrohet zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027 jo vetëm nën trysninë e muajve të gjatë të protestave që kërkojnë dorëheqjen e tij, por edhe me një konflikt të brendshëm me dy figura që dikur ishin ndër më të afërmit e tij politikë: Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali.
Të lidhura
None found
Gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë Socialiste, Rama mori vendimin për të hequr Veliajn nga posti i drejtuesit politik të Tiranës dhe kërkoi largimin e Spiropalit nga organet drejtuese të partisë. Ky veprim u pasua nga një votim i diskutueshëm që formalizoi përjashtimin e saj nga grupi parlamentar socialist.
Të dy po kritikojnë qasjen autoritare të Ramës në drejtimin e PS-së, si dhe rrethin e tij të ministrave dhe drejtorëve për privilegje që i cilësojnë si të pamerituara. Veliaj e bën këtë nga qelia, ndërsa Spiropali nga kreu i Kuvendit, megjithëse në rrethana dhe pozita krejt të ndryshme.
Megjithatë, edhe pse këto përplasje mund të kenë pasoja në imazh dhe efekt elektoral, pak analistë besojnë se qëndrimet e veçuara të Veliajt dhe Spiropalit do të mund të sfidonin realisht pushtetin e Ramës brenda Partisë Socialiste.
Gazetarja Luljeta Progni thekson se pavarësisht ndikimit që deklaratat e tyre mund të kenë te ndjekësit besnikë, mënyra se si funksionon PS-ja lë pak vend për ndryshime të brendshme.
“Në PS ekziston një logjikë funksionimi ku shumica dërrmuese e strukturave dhe e elektoratit ndjek atë që mban postin e kryetarit”, u shpreh Progni për BIRN.
Sipas saj, më shumë sesa shfaqja e dy ish-figurave të pushtetshme si kundërshtarë politikë, Rama mund të dëmtohet në këto zgjedhje nga “reagimi qytetar që po shprehet prej gjashtë muajsh në rrugë”.
Edhe Anila Basha, botuese e media Newsbomb, pajtohet se përplasjet e brendshme dhe protestat mund të gjenerojnë pakënaqësi në bazën socialiste, por ajo nuk e sheh këtë si një tregues automatik të humbjes së votave për PS-në.
“Pa dyshim që atmosfera e protestave, e kombinuar me konfliktet e brendshme politike, mund të ushqejë pakënaqësi te votuesit socialistë. Madje disa sondazhe të kohëve të fundit duket se tregojnë një rënie të mbështetjes për PS-në,” tha Basha.
Ajo megjithatë nënvizon se “ka një ndryshim thelbësor midis pakënaqësisë politike të çastit dhe shndërrimit të saj në një sjellje konkrete në kutinë e votimit”.
Basha vëren se Partia Socialiste ka treguar se posedon një infrastrukturë elektorale të qëndrueshme dhe një disiplinë të fortë organizative, çka e ndihmon të mbajë besnikërinë e votuesve. Në këtë kuadër, ajo thekson se përkatësia partiake dhe mbështetja zyrtare për kandidatët vazhdojnë të peshojnë më shumë se kapitali politik vetjak i figurave që konkurrojnë.
“Për këtë arsye, nuk do ta shihja automatikisht përplasjen aktuale si një sinjal për një rezultat të dobët elektoral të PS-së në vitin 2027,” shton Basha.
Ndikimi elektoral i këtij konflikti trepalësh do të varet, sipas gazetareve, nga fakti nëse kundërshtimi ndaj Ramës do të mbetet thjesht në nivel deklaratash apo do të shoqërohet me veprime konkrete brenda strukturave dhe elektoratit socialist.
Basha është skeptike për mundësinë që kritikat e Veliajt dhe Spiropalit të kthehen në një lëvizje të konsoliduar brenda partisë ose të kenë pasoja të mëdha elektorale. Ajo e lidh këtë me kulturën organizative të socialistëve, të cilët historikisht kanë prirjen “të rreshtohen pas lidershipit të partisë, në vend që ta sfidojnë atë”.
Duke iu referuar konflikteve të së majtës gjatë tre dekadave të fundit, ajo vëren se megjithë intensitetin dhe pasojat politike që kanë pasur, ato nuk kanë arritur të prodhojnë një alternativë të qëndrueshme opozitare brenda PS-së.
Edhe Progni mendon se një lëvizje eventuale e Veliajt dhe Spiropalit mund të krijojë një grupim politik, por do ta ketë të vështirë të ndikojë në fatin e ardhshëm të kësaj partie.
“Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që futën sistemin e listave të mbyllura për kandidatët për deputetë, e kanë ngushtuar ndjeshëm hapësirën për mendim ndryshe brenda partisë dhe kanë bërë që çdo përpjekje për të sfiduar Ramën nga brenda të dështojë,” thotë Progni.
Ndarja më e madhe politike me pasoja elektorale që ka njohur PS-ja gjatë tranzicionit ishte ajo e vitit 2004, kur Ilir Meta, pas konflikteve me kryetarin dhe kryeministrin e atëhershëm Fatos Nano, u shkëput nga partia me një grup deputetësh dhe formoi një forcë të re politike. Në zgjedhjet parlamentare një vit më vonë, PS-ja kaloi në opozitë, ndërsa LSI-ja e Metës siguroi përfaqësim në Kuvend.
Situata aktuale politike konsiderohet krejt e ndryshme nga ajo e vitit 2004, pavarësisht rëndësisë së dy protagonistëve të përplasjes me Ramën. Konfliktet e vitit 2004 ishin pjesë e një përplasjeje të vazhdueshme mes grupeve rivale në PS, në një parti që ofronte më shumë hapësirë për debat dhe kundërshti ndaj kryetarit.
Progni thekson se ndryshe nga kundërshtarët e Nanos, të cilët kishin një histori të gjatë përplasjesh me të, Veliaj dhe Spiropali kanë qenë për gati dy dekada mbështetës të Ramës dhe pjesë e përpjekjeve të tij për të kufizuar zërat ndryshe brenda partisë.
Rrjedhimisht, Progni vlerëson se përplasja e sotme nuk ka të njëjtat rrënjë politike dhe organizative me atë që solli krijimin e LSI-së, çka e bën të vështirë një krahasim mes dy periudhave.
Nga ana tjetër, Basha pranon se mund të vërehen disa ngjashmëri sipërfaqësore në nivelin e pakënaqësive dhe konflikteve të brendshme, por thekson se këto nuk mjaftojnë për të parashikuar një përçarje strukturore apo humbje elektorale për PS-në.
“Nëse këto zhvillime do të ndodhnin një muaj para zgjedhjeve, do të isha më e prirur të mendoja për një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin elektoral”, thotë ajo, duke shtuar se socialistët kanë ende kohë për të menaxhuar tensionet dhe për ta zhvendosur fokusin e elektoratit nga konfliktet e brendshme te prioritetet e qeverisjes.
Basha arrin në përfundimin se nuk ka elementë që do ta shndërronin “pakënaqësinë individuale” të Veliajt apo Spiropalit në një alternativë politike të organizuar, me mbështetje reale përtej emrave që e artikulojnë atë.








