Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e pjesëve rezervë dhe pajisjeve të nevojshme për mirëmbajtjen e avionëve luftarakë F-16 që përdoren nga Forcat Ajrore të Ukrainës.
Bëhet fjalë për një marrëveshje me vlerë më shumë se 600 milionë dollarë, e cila do të financohet tërësisht nga Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia. Autoritetet amerikane sqaruan se në këtë transaksion nuk do të përdoret asnjë fond nga buxheti i SHBA-së.
Të lidhura
None found
Qeveria ukrainase kishte paraqitur kërkesën për blerjen e një pakete pajisjesh dhe pjesësh këmbimi, që do të shërbejnë për mirëmbajtjen dhe mbajtjen në gatishmëri të F-16-ve. Këta avionë janë bërë një element i rëndësishëm i mbrojtjes ajrore të vendit kundër sulmeve ruse.
Nevoja për këto pajisje shfaqet në një kohë kur janë raportuar vështirësi në mirëmbajtjen e avionëve amerikanë. Në fillim të tetorit, gazeta “The Wall Street Journal” shkroi se shumica e F-16-ve të Ukrainës ndodheshin jashtë shërbimit, në pritje të inspektimeve dhe riparimeve nga teknikët.
Kievi e hodhi poshtë këtë raport, duke deklaruar se avionët vazhdonin të përdoreshin intensivisht në operacionet ushtarake. Megjithatë, një zëdhënës i autoriteteve ukrainase pranoi se mirëmbajtja e tyre përbën një sfidë të konsiderueshme.
Sipas tij, këta janë modele më të vjetra avionësh dhe disa pjesë këmbimi nuk prodhohen më, çka e bën gjithnjë e më të vështirë sigurimin e tyre.
Ukraina ka marrë një numër të kufizuar avionësh F-16 nga aleatët perëndimorë duke filluar nga viti 2024 dhe, sipas njoftimeve zyrtare, ka humbur të paktën katër prej tyre gjatë luftës. Gjithashtu janë raportuar vështirësi në procesin e trajnimit të pilotëve që do t’i përdorin këta avionë.
Megjithëse administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka reduktuar ndjeshëm ndihmën ushtarake të drejtpërdrejtë për Ukrainën, në maj të vitit 2025 kishte miratuar një shitje të ngjashme pajisjesh për mirëmbajtjen e flotës ukrainase të F-16.
Marrëveshja e re synon ta ndihmojë Kievin që t’i mbajë funksionalë avionët luftarakë, në një periudhë kur mbrojtja ajrore mbetet një nga sfidat kryesore të Ukrainës në luftën me Rusinë.







