SHBA-ja po shqyrton vendosjen e tarifave të reja ndaj 14 partnerëve të saj tregtarë, përfshirë Kinën dhe Bashkimin Europian. Sipas Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së, masat e propozuara mund të zbatohen duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm.
Propozimi parashikon për produktet kineze një tarifë shtesë prej 20%, çka do ta çonte nivelin e përgjithshëm të tarifave në rreth 40%.
Të lidhura
None found
Në listën e vendeve dhe rajoneve të përfshira bëjnë pjesë edhe Bangladeshi, Kamboxhia, India, Indonezia, Japonia, Koreja e Jugut, Malajzia, Singapori, Zvicra, Tajvani, Tajlanda dhe Vietnami.
Masat janë rezultat i një hetimi tetëmujor të Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së, të kryer në bazë të Seksionit 301 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974. Ky ligj i lejon administratës amerikane të ndërmarrë veprime tregtare kundër vendeve që, sipas hetimeve, përdorin praktika të padrejta dhe dëmtojnë tregtinë e SHBA-së.
Autoritetet amerikane pretendojnë se praktikat e vendeve të hetuara nxisin kapacitete të tepërta industriale. Sipas tyre, subvencionet, politikat industriale dhe mbështetja shtetërore për prodhuesit vendas bëjnë që prodhimi të tejkalojë kërkesën e tregut.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se, sipas përfundimeve të Uashingtonit, këto vende krijojnë ose mbajnë kapacitete të tepërta prodhuese përmes praktikave të cilësuara si të paarsyeshme, që rëndojnë ose kufizojnë tregtinë amerikane.
Kina parashikohet të goditet më shumë, me tarifën shtesë prej 20%. Ajo do t’u shtohet tarifave prej rreth 25% të vendosura gjatë mandatit të parë të Trumpit, duke e çuar nivelin e përgjithshëm mbi 40% për disa kategori mallrash.
Megjithatë, tarifat e propozuara nuk do t’u shtohen automatikisht të gjitha detyrimeve ekzistuese. Administrata ka bërë të ditur se zbatimi do të respektojë kufijtë e përcaktuar në marrëveshjet tregtare me partnerët. Tavani i dakordësuar është 15% për Bashkimin Europian, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin, ndërsa për Malajzinë është 19%.
Rreth 30 miliardë dollarë importe nga Kina, për të cilat po shqyrtohet ulja e tarifave përmes një procesi dypalësh, do të përjashtohen nga masat e propozuara.
Para se të merret vendimi përfundimtar, propozimi do të kalojë në konsultim publik dhe në një seancë dëgjimore. Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së ka caktuar seancën për 25 janar. Një zyrtar amerikan tha se procesi mund ta shtyjë zbatimin e tarifave deri në janar 2027.
Meksika dhe Norvegjia nuk janë përfshirë për momentin në listë, pasi hetimet për këto dy vende vazhdojnë.
Nisma është ndërmarrë disa muaj pasi Gjykata Supreme e SHBA-së, në shkurt, rrëzoi një pjesë të rëndësishme të tarifave të gjera të Trumpit, të njohura si tarifat e “Ditës së Çlirimit” (Liberation Day).
Gjykata vendosi se administrata kishte tejkaluar kompetencat duke u mbështetur te një ligj për emergjencat kombëtare për vendosjen e tarifave.
Këtë herë, Shtëpia e Bardhë po përdor Seksionin 301 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974, i cili përcakton një proces hetimor për identifikimin dhe kundërshtimin e praktikave tregtare që konsiderohen të padrejta.
Administrata Trump synon kështu të rikthejë një pjesë të politikës së saj tarifore, por duke u mbështetur në një bazë tjetër ligjore.
Pekini ka kundërshtuar vazhdimisht pretendimet e SHBA-së për kapacitet të tepërt industrial, duke i cilësuar ato si arsyetim për masa politike dhe tregtare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, i quajti të pavërteta pretendimet amerikane.
“E ashtuquajtura ‘mbikapacitet’ është një pretendim i rremë dhe Kina kundërshton përdorimin e tij si justifikim për manipulim politik.”
Guo Jiakun i kërkoi Uashingtonit të ruajë marrëdhënie të qëndrueshme tregtare me Pekinin.
Propozimi vjen ndërsa politika tarifore e Trumpit vazhdon të jetë një temë qendrore e debatit ekonomik në SHBA. Kostoja e importeve dhe pasojat e saj për konsumatorët amerikanë mbeten gjithashtu në vëmendje të publikut.







