Gjatë një aktiviteti të Asamblesë së Grave Parlamentare dhe Asamblisteve në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu foli për dhunën ndaj grave dhe detyrimin e institucioneve për t’u garantuar atyre mbrojtje.
Haxhiu vuri në dukje se një numër i madh grash nuk e përjetojnë shtëpinë si një vend të sigurt, ndonëse ajo duhet të ishte hapësira ku gjejnë qetësi dhe mbrojtje.
Të lidhura
None found
“Gratë përgjatë gjithë historisë janë përballur me padrejtësi të llojllojshme, por më e rënda ndaj grave është se shumë prej tyre nuk ndihen të sigurta në shtëpinë e vet”, deklaroi ajo.
Sipas saj, dhuna brenda familjes nuk duhet të lihet jashtë përgjegjësisë publike apo të konsiderohet problem privat.
“Për vite me radhë dhuna është fshehur pas arsyetimit se ajo që ndodh brenda familjes është çështje private, por dera e shtëpisë nuk mund të jetë edhe kufiri ku përfundon përgjegjësia e shtetit”, u shpreh Haxhiu.
Duke përmendur vrasjen e Arlindës, ajo solli në vëmendje edhe kërkesën e Arlinda Zekajt për t’u rikthyer në banesën e saj.
“Para pak javësh, Arlinda Zekaj kërkonte të kthehej në shtëpinë e vet. ‘Dua të shkoj në shtëpinë time’, kishte thënë e ndjera, kërkesë kaq e thjeshtë, të cilën as vendimi i gjykatës e as prania e policisë nuk arritën ta mbronin”, deklaroi Haxhiu.
Ajo kërkoi edhe një herë që të hetohen plotësisht rrethanat e kësaj vrasjeje dhe të bëhet e qartë se cilat ishin përgjegjësitë e institucioneve.
“Është e domosdoshme të përcaktohet ku ka dështuar zinxhiri institucional i mbrojtjes”, theksoi Haxhiu.






