Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen vendet e Ballkanit Perëndimor që janë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ato mund të përfundojnë kapitujt e negociatave dhe të nisin hartimin e traktatit të anëtarësimit.
Këtë vlerësim e bëri ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të mbajtur më 23 nëntor në Athinë.
Të lidhura
None found
Blanar kujtoi premtimin e BE-së në Samitin e Selanikut, 23 vite më parë, dhe tha se rajoni po i afrohet një momenti të rëndësishëm, kur vendet e para të Ballkanit Perëndimor mund të bëhen anëtare të unionit.
“Jemi tani në një moment historik kur mund të arrijmë anëtarësimin e të paktën dy vendeve të tjera, që janë mjaftueshëm të përgatitura për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe për të kaluar te traktati i anëtarësimit, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria”, deklaroi Blanar.
Kryediplomati sllovak nënvizoi se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kishte domethënie të veçantë për qytetarët e rajonit. Sipas tij, ky hap do të tregonte se perspektiva europiane nuk është vetëm një zotim, por një synim i arritshëm, si dhe do të ndihmonte në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Europë.
Para samitit BE-Ballkani Perëndimor, që pritet të zhvillohet më 25 nëntor në Bruksel, Blanar tha se zgjerimi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një çështje politike. Ai theksoi se avancimi i vendeve kandidate nuk përcaktohet më vetëm nga plotësimi i kritereve teknike, por edhe nga vullneti dhe konsensusi politik i shteteve anëtare.
Në këtë drejtim, ministri u kërkoi vendeve të BE-së që mosmarrëveshjet dhe konfliktet dypalëshe të trashëguara nga e kaluara të mos pengojnë rrugën europiane të vendeve kandidate.
“Çështjet e ndryshme që vijnë nga e kaluara dhe që mbeten ende të pazgjidhura duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave në Bruksel. Ky është edhe qëllimi i integrimit, të forcohemi dhe të ndërtojmë një bashkësi të aftë për t’u përballur me sfida të ndryshme”, deklaroi Blanar.







