Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i bëri thirrje Këshillit të BE-së që t’i kërkojë Komisionit Evropian të hartojë opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit ministror të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Athinë, Konjufca tha se zgjerimi i BE-së duhet të jetë një proces i besueshëm, ku çdo vend i rajonit të ketë mundësi të përparojë në bazë të meritave dhe reformave të zbatuara.
Të lidhura
None found
Ai vuri në dukje reformat demokratike të Kosovës, përafrimin e plotë të saj me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe gatishmërinë për t’u angazhuar në misionet dhe operacionet e Bashkimit Evropian.
“Kosova ka dëshmuar përkushtimin ndaj integrimit evropian, si me reformat, ashtu edhe me mbështetjen e palëkundur për politikat e BE-së. Është koha që ky përkushtim të pasohet nga hapa konkretë të BE-së, në mënyrë që Kosova të ecë përpara në procesin e anëtarësimit, njësoj si vendet e tjera të rajonit”, tha ai.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE gati katër vjet më parë, por Komisioni Evropian ende nuk e ka proceduar çështjen.







