Ndeshja Vora – Tirana mbyll javën e 12-të të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe do të startojë në orën 13:30 në fushën e Vorës. Në prag të këtij takimi, trajneri i bardhebluve, Dean Klafuriç, ka folur për mediat.

Të lidhura
None found
Ai theksoi se çdo sfidë ka rëndësi të madhe për skuadrën e tij, prandaj ata hyjnë në fushë gjithmonë me synimin për të fituar. Sipas tij, ndeshja me Vorën nuk ndryshon nga të tjerat dhe ekipi përgatitet vazhdimisht për të dhënë maksimumin, me shpresën për të marrë tri pikët.
Klafuriç zbuloi gjithashtu se skuadra do të përballet me disa mungesa të rëndësishme. Ai përmendi se fatkeqësisht nuk do të ketë në dispozicion tre lojtarë – Krymi, Berisha dhe Stanic – ndërsa një ditë më parë në stërvitje u dëmtua edhe Kolej, për të cilin shpreson se do të jetë gati për ndeshjen me Vorën.
Lidhur me pushimin e shkaktuar nga ndeshjet e kombëtareve, trajneri i Tiranës vuri në dukje se ai kishte si anë pozitive ashtu edhe negative. Nga njëra anë, skuadra pati mundësi të pushonte dhe të përmirësonte aspektet teknike, taktike dhe fizike. Gjithashtu, fakti që pesë lojtarë ishin të grumbulluar me kombëtaret e tyre përfaqësonte një nder për klubin dhe për vetë lojtarët.
Nga ana tjetër, ai theksoi se ana negative lidhej me kohën që lojtarët kaluan larg klubit, veçanërisht ata afrikanë, të cilët bënë udhëtime të gjata. Megjithatë, Klafuriç shtoi se ky është futbolli dhe ata janë profesionistë, ndaj shpreson që të japin më të mirën në ndeshjen me Vorën.
Në fund, ai shprehu bindjen se ka ende hapësirë për përmirësim dhe shpreson që skuadra të bëhet më e fortë nga ndeshja në ndeshje.






