Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë i është drejtuar gjyqtarit Christopher Gosnell me kërkesën që ish-presidenti Hashim Thaçi të vijojë të qëndrojë në paraburgim edhe në çështjen për pengimin e administrimit të drejtësisë. Sipas Prokurorisë, dënimi prej 25 vjetësh me burg për krime lufte i ka rritur rreziqet që, siç pretendohet, Thaçi do të paraqiste nëse do të lirohej.
Dokumenti i nënshkruar nga prokurorja Kimberly P. West është paraqitur më 16 nëntor, pra vetëm një ditë përpara se të shpallej aktgjykimi për këtë çështje. Ky parashtrim lidhet me shqyrtimin e dymbëdhjetë të masës së paraburgimit për Thaçin.
Të lidhura
None found
Prokuroria vlerëson se ekzistojnë të tre rreziqet që Ligji për Dhomat e Specializuara, konkretisht neni 41(6)(b), i përcakton si shkaqe për mbajtjen në paraburgim: arratisja, pengimi i procedurave dhe kryerja e veprave të reja penale. ZPS-ja nënvizon se mjafton edhe njëri prej këtyre rreziqeve për të vazhduar paraburgimin.
Sa i përket rrezikut të arratisjes, Prokuroria argumenton se Thaçi mund të ketë akses në shuma të mëdha parash, të sigurojë pa vështirësi mbështetjen e aleatëve të tij dhe të udhëtojë drejt vendeve ku Dhomat e Specializuara nuk kanë autoritet për të ushtruar kontroll. Përveç kësaj, përmendet ajo që Prokuroria e cilëson si një model i mospërfilljes së urdhrave të Gjykatës dhe rregullave të paraburgimit, duke përfshirë shkelje të ndodhura kohët e fundit. Sipas prokurores West, dënimi për krime lufte ia forcon Thaçit motivin që t’i shmanget përballjes me drejtësinë.
Pjesa më e madhe e parashtresës i kushtohet rrezikut të pengimit të procedurave, të cilin Prokuroria e konsideron tejet të lartë. Aty renditen pesë elemente: dyshimi i bazuar se Thaçi ndërmori përpjekje të gjera për të penguar procesin gjyqësor për krime lufte, roli drejtues që sipas Prokurorisë ai kishte në këto përpjekje, përfshirja e individëve që ende janë të lirë në Kosovë, fakti që përpjekjet e pretenduara prekën edhe dëshmitarë të mbrojtur, si dhe rreziku i vazhdueshëm i hakmarrjes ndaj tyre.
Prokuroria e Specializuar përmend gjithashtu atë që e quan klimë frikësimi ndaj dëshmitarëve në Kosovë. Ajo i referohet protestave që pasuan aktgjykimin e 16 shtatorit dhe postimeve në internet të cilat, sipas saj, kanë nxitur dhunë. Sipas vlerësimit të Prokurorisë, tensionet pritet të rriten sërish pas aktgjykimit të dytë.
Sipas dokumentit të Prokurorisë, asnjë masë alternative e lirimit nuk do të mund t’i ulte mjaftueshëm këto rreziqe. Prokuroria thekson se Thaçi mund të komunikonte nëpërmjet personave të tjerë ose pajisjeve të tyre, ndërsa bisedat e tij jashtë qendrës së paraburgimit nuk do të mund të mbikëqyreshin në mënyrë efektive. Për këtë arsye, ZPS-ja e sheh vazhdimin e paraburgimit si të domosdoshëm, të arsyeshëm dhe proporcional.
Vetëm një ditë pas paraqitjes së këtij dokumenti, më 17 nëntor, gjyqtari Gosnell e dënoi Thaçin me 17 muaj burg për çështjen e pengimit të drejtësisë. Ky dënim është dukshëm më i ulët se gjashtë vjetët që kishte kërkuar Prokuroria. Në të njëjtin proces, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu morën nga 12 muaj burgim secili, Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burg me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.
Më 16 shtator, Thaçi ishte dënuar në shkallë të parë me 25 vjet burg për krime lufte. Në të njëjtin vendim, Jakup Krasniqi mori 25 vjet, Kadri Veseli 18 vjet dhe Rexhep Selimi 13 vjet burg. Të dy aktgjykimet janë të shkallës së parë dhe mund të ankimohen.
Thaçi mbahet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Që nga ajo kohë, çdo kërkesë e mbrojtjes së tij për t’u liruar është refuzuar.





