Virgil van Dijk, kapiteni i Liverpoolit dhe mbrojtësi holandez, ka lënë të kuptohet se një ndarje nga Anfield në përfundim të këtij sezoni është një mundësi reale, edhe pse ai thekson se ndihet i aftë të vazhdojë të luajë në nivele të larta për shumë vite të tjera.
Qendërmbrojtësi 35-vjeçar do të jetë pa kontratë me klubin anglez në verën e ardhshme. Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, ai ka fituar dy herë Ligën Premier dhe një herë Ligën e Kampionëve.
Të lidhura
None found
Në një intervistë për Sky Sports, Van Dijk pranoi se ende nuk ka një vendim të qartë për të ardhmen e tij pas mbylljes së sezonit aktual, por nuk e përjashtoi mundësinë e një largimi gjatë verës së vitit 2027.
“Për mua, gjëja kryesore është të ndihem mirë dhe të kujdesem për veten, dhe besoj se kam ende shumë vite përpara në fushë”, u shpreh fillimisht Van Dijk për Sky Sports.
“Çfarëdo që të ndodhë pas këtij sezoni, do ta shohim. Tani për tani, kushdo që pretendon se e di se çfarë do të bëj sezonin e ardhshëm nuk po thotë të vërtetën, sepse as unë vetë nuk kam asnjë ide në këtë moment.”
“Por jam i qetë për këtë, sepse ata që më njohin e dinë se unë fokusohem vetëm te gjërat që mund t’i kontrolloj. Tani për tani kjo do të thotë ndeshja me Manchester United, pastaj do të përqendrohemi te Liga e Kampionëve dhe do të shohim çfarë do të sjellë viti i ri.”
Duke kthyer kokën pas në kohën e tij në Anfield, ai tha: “Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Në verë do të kem mbushur gati 10 vjet këtu, ka qenë një pjesë e madhe e jetës sime dhe do të jem përjetësisht mirënjohës për gjithçka që ka ndodhur gjatë këtyre viteve.”
“Nëse kontrata rinovohet, do ta shohim, dhe nëse jo, do t’u them lamtumirë të gjithëve në verë.”
Kur u pyet se sa e vështirë do të ishte emocionalisht një ndarje, ai pranoi: “Po, do të jetë e vështirë për mua dhe familjen time, ndoshta më shumë se për këdo tjetër, sepse ka qenë një periudhë e mrekullueshme.”
“Por unë nuk shikoj shumë larg në të ardhmen, dhe mendoj se kjo ka qenë pjesë e suksesit tim. Nuk do ta ndryshoj qasjen time tani. Çfarë do të ndodhë, do të ndodhë. Le të presim dhe të shohim,” përfundoi holandezi.





