Autoritetet koreanojugore kanë identifikuar 111 raste të dyshuara për thyerje të rregullave në provimin kombëtar të pranimit në universitete, ku kandidatët mendohet se kanë përdorur pajisje elektronike si syze inteligjente, mikrokamera dhe kufje pa tela.
Ministria e Arsimit njoftoi më 20 nëntor se pas kontrolleve të kryera, numri i rasteve u rishikua nga 98 në 111, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap.
Të lidhura
None found
Për të evidentuar pajisjet e fshehura, mbikëqyrësit dërguan tri herë alarme emergjente në celularë. Kjo strategji çoi në identifikimin e 54 kandidatëve që nuk i kishin dorëzuar telefonat para fillimit të provimit.
Gjithashtu, 52 raste të tjera u zbuluan gjatë kontrolleve të sigurisë, përfshirë përmes zbulimit të sinjaleve Wi-Fi, ndërsa pesë të tjerë u kapën në flagrancë duke përdorur pajisje inteligjente gjatë testit.
Në Chungcheong të Jugut, një kandidat u gjet me syze inteligjente, kurse në provincën Gyeonggi një tjetër kishte përdorur mikrokamerë dhe kufje pa tela.
Shtimi i masave të kontrollit vjen pas një skandali të mëparshëm, kur fituesi i provimit për ekspertë tatimorë pranoi se kishte kopjuar me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe pajisjeve elektronike.
Pas kësaj ngjarje, autoritetet forcuan masat për të parandaluar përdorimin e teknologjisë në provime.
Ministria e Arsimit do të shqyrtojë rastet e zbuluara për të vendosur ndëshkimet përkatëse. Po ashtu, synohet vendosja e sanksioneve më të rrepta për kopjimin me inteligjencë artificiale, duke përfshirë ndalimin e pjesëmarrjes në provimin kombëtar deri në 10 vjet.








