Kur talebanët morën nën kontroll shumicën e Afganistanit në 1996, ata vunë në zbatim një version të rreptë të Sheriatit, ose ligjit islamik. Bazuar në interpretimin e tyre të sistemit islamik të qeverisjes, grate nuk lejoheshin të punonin, ndërsa lejoheshin ekzekutimet publike.
Tani që talebanët kanë përsëri nën kontroll vendin, afganët i tremben kthimit të sundimit të tyre brutal, për të cilin talebanët thonë se bazohet tek Sheriati. Në një intervistë ekskluzive me agjencinë e lajmeve Reuters javën e kaluar, komandanti i lartë taleban Waheedullah Hashimi shpjegoi se Afganistani nuk do të ketë një sistem demokratik.
“Nuk ka përse të diskutojmë se çfarë lloj sistemi politik duhet të aplikojmë në Afganistan sepse është e qartë. Do të jetë ligji i Sheriatit dhe kaq,” tha ai për Reuters.
T’i hedhim një vështrim sistemin juridik të fesë islame.
Çfarë është Sheriati?
Në arabisht, Sheriati do të thotë “rruga drejt ujit,” ose disa e interpretojnë si “një rrugë që duhet ndjekur”.
Sheriati është praktika juridike që rrjedh nga mësimet e Kuranit, libri i shenjtë i fesë islame dhe mësimeve të Profetit Muhamed.
Ai shërben si një kod i urdhëruar nga lart për jetën e drejtë, morale dhe të ndershme për myslimanët dhe ofron udhëzime për një sërë aspektesh të jetës.
Si praktikohet Sheriati?
Vendet që respektojnë Sheriatin e praktikojnë në nivele të ndryshme në sistemet e tyre juridike. Disa vende përdorin Sheriatin si ligjin e tyre kombëtar, por shumica e vendeve kanë sisteme të përziera ligjore që ndërthurin një jurisprudencë tradicionale islame dhe një kushtetutë.
Në kushtetutën e vitit 2004, elementët e Sheriatit u integruan në kodin e qeverisjes së Afganistanit.
Kur talebanët kontrollonin vendin nga 1996-2001, ata vendosën një version ekstrem të ligjit që përfshinte ndëshkime brutale të tilla si goditjet me gurë dhe gjymtime – veprime që dënoheshin nga grupet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën.
Ashtu si besimi i krishterë, feja islame ka sekte të shumta, të tilla si sunitë dhe shiitët, të cilët ndahen më tej në nënsekte. Ka dallime në mënyrën sesi secili sekt e interpreton Sheriatin ose jurisprudencën Islame.
A e mbështesin myslimanët Sheriatin?
Disa sondazhe çojnë në përfundimin se mbështetja për këtë stil qeverisjeje ndryshon shumë në vendet muslimane. Tariq Ramadan, një profesor i studimeve bashkëkohore islamike në Universitetin e Oksfordit, ka propozuar vendosjen e një moratoriumi mbi ndëshkimet me dhunë fizike në vendet islame që ndjekin Sheriatin e rreptë.
Si do të trajtohen tani gratë në Afganistan nën talebanët?
Në vitin 1996, talebanët vendosën kufizime shumë të rrepta ndaj grave afgane, të cilat kryesisht ishin të mbyllura në shtëpi dhe nuk ishin në gjendje të dilnin nga banesa pa një shoqërues mashkull; ato ndëshkoheshin me rrahje publike nëse nuk bindeshin.
Talebanët kohët e fundit kanë thënë se do të jenë më të moderuar në lidhje me të drejtat e grave. Sipas rrjetit BBC, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid deklaroi se gratë do të lejohen të marrin pjesë në shoqëri nëse jetojnë sipas Sheriatit, duke shtuar se “ne do të jemi të kënaqur dhe ato do të jenë të kënaqura”./VOA