Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se ndalimi i tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe erdhi si rezultat i përpjekjeve disavjeçare për të zgjidhur problemin e bllokimit të linjave energjetike nga ana e Serbisë.
Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, Rizvanolli theksoi se kjo çështje është adresuar që nga viti 2021, kur KOSTT depozitoi një ankesë zyrtare për moslirimin e linjave të transmetimit.
Të lidhura
None found
Ajo shtoi se në vitin 2025, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë kishte vërtetuar shkeljen ligjore të kryer nga Serbia, duke i caktuar kësaj të fundit afatin deri më 1 korrik 2026 për të hequr bllokadën mbi linjat.
Rizvanolli sqaroi se Bashkimi Evropian ishte njoftuar disa ditë përpara se Qeveria të merrte vendimin për ndalimin e tregtimit me kompanitë serbe. Sipas saj, BE-ja kishte propozuar një zgjidhje me ndërmjetësimin e tyre dhe Kosova u kishte dhënë edhe disa muaj kohë shtesë për ta realizuar këtë zgjidhje.
Megjithatë, ministrja theksoi se Serbia nuk përmbushi detyrimin për lirimin e linjave, pavarësisht ndërmjetësimit evropian dhe afatit shtesë të ofruar. Si pasojë, Qeveria e Kosovës mori vendimin për të ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe.








