Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar pas interpretimit të një kënge nacionaliste serbe në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Komisionit Evropian në Bruksel, duke kërkuar një falje politike ndaj qytetarëve të Kosovës.
Gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, ajo deklaroi se kjo këngë nuk është thjesht një melodi popullore, por sipas saj përfaqëson projektin irredentist të Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi me dëbime masive dhe masakra në Kosovë.
Të lidhura
None found
Kryeziu-Hyseni theksoi se interpretimi i këngës pa tekst nuk e zbeh domethënien e saj dhe përgjegjësinë për mesazhin e përcjellë e vendosi mbi institucionin organizator.
Ajo kujtoi se të dielën e kaluar, në hapjen e forumit të zgjerimit të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, në koncertin e titulluar “Melodi të unitetit” u interpretua kënga “Oj Kosovo, Kosovo”. Sipas saj, kjo nuk është thjesht një melodi popullore pa adresë, por himni i projektit irredentist të Millosheviqit, i Gazimestanit dhe i shfuqizimit të autonomisë së Kosovës, një projekt që solli dëbime masive, masakra dhe rreth 1,600 të zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë.
Lidhur me interpretimin pa tekst, ajo tha se kjo nuk e zbeh mesazhin, sepse në Ballkan fjalët e kësaj kënge i njohin të gjithë. Ajo vuri në dukje se Komisioni ia atribuoi përgjegjësinë muzikantëve, por sipas saj në diplomaci përgjegjësia për mesazhin i takon gjithmonë nikoqirit dhe llogaridhënia institucionale nuk mund të delegohet. Prandaj, tha se presin kërkimfalje politike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe një sqarim se si u përzgjodh dhe kush e miratoi këngën.







