Një seri e pashembullt defektesh në sistemet e teknologjisë së informacionit, çrregullimesh teknike dhe sulmesh kibernetike ka ngjallur shqetësim në rang global.
Nga James Titcomb
Të lidhura
None found
Pajisje ftohëse nëpër kontinentin europian që çojnë dëm produktet ushqimore. Shërbimet e postës elektronike të Microsoft-it që bllokohen për periudha të gjata. Aeroporte në Shtetet e Bashkuara që mbeten të paralizuara.
Gjatë javëve të fundit, planeti është goditur nga një numër dukshëm i pazakontë incidentesh teknologjike, defektesh dhe agresionesh kibernetike.
Shuma miliarda dollarëshe janë grabitur përmes sulmeve kibernetike, ndërkohë që dobësi të rënda sigurie në programe kompjuterike me përdorim të gjerë kanë lënë jashtë funksionit faqet zyrtare të institucioneve shtetërore për orë të tëra gjatë muajit të kaluar.
Numri i lartë i këtyre ngjarjeve bëri që specialistët e teknologjisë ta quanin muajin e shkuar “Tetori i Zi”. Megjithatë, që prej atëherë, problemet duket se janë shumuar edhe më shumë.
Të martën, agjencia kombëtare e sigurisë kibernetike në SHBA u kërkoi bizneseve të rregullonin një “dobësi kritike sigurie” në Java, një gjuhë programimi shumë e përhapur në mjedisin dixhital.
Incidentet kibernetike, si vjedhja e informacioneve, kërkesat për pagesa shpërblimi dhe publikimi i mesazheve, shpesh perceptohen si çështje abstrakte. Por shumë nga ngjarjet e fundit kanë patur pasoja konkrete në jetën e përditshme.
Një defekt në platformën Google Cloud në muajin tetor la jashtë shërbimit bankat për disa orë. Ndërprerja e sistemeve të Microsoft-it javën e kaluar i detyroi disa njësi të sistemit shëndetësor britanik (NHS) të riktheheshin te shkrimi me dorë. Ndërsa sulmet ndaj sistemeve të ftohjes në Francë, Belgjikë dhe vende të tjera shkaktuan humbjen e ushqimeve me vlerë miliona euro.
Ekspertja e sigurisë kibernetike Nicole Perlroth tregoi se kishte marrë me qindra mesazhe nga individë që pyesnin nëse vërtet po i afroheshim fundit të botës.
Ky intensifikim problemesh ka ushqyer spekulime se vendet perëndimore janë objekt i një fushate të koordinuar dhe masive kibernetike, që synon të paralizojë një shoqëri çdo ditë e më të varur nga rrjeti.
Rastësisht apo jo, kjo përkoi me muajin kur qeveria britanike i këshilloi familjet të bënin rezerva me ujë, ushqime dhe bateri.
Senatori republikan amerikan Josh Hawley u shpreh të martën: “Nëse e gjithë kjo është thjesht koincidencë, atëherë bëhet fjalë për koincidencën më të madhe në historinë e njerëzimit.”
Pavarësisht këtyre zërave, autoritetet zyrtare i kanë minimizuar shqetësimet. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi: “Nuk kemi të bëjmë me një sulm të organizuar. Këto ngjarje janë të pavarura dhe nuk kanë lidhje mes tyre.”
Jay Clayton, kreu i inteligjencës kombëtare në SHBA, pohoi se nuk kishte indikacione për një ofensivë kibernetike të sinkronizuar apo aktivitete të mbështetura nga ndonjë shtet.
Edhe Donald Trump, i pyetur rreth këtyre incidenteve, u mjaftua me një përgjigje të shkurtër: “Gjithçka është në rregull.”
Nuk ka asnjë provë që sulmet, ndërprerjet dhe dobësitë e zbuluara janë pjesë e një plani të vetëm. Disa prej incidenteve janë lidhur me shtete të huaja, si rasti i sulmeve ndaj sistemeve të ftohjes, për të cilat është akuzuar Irani. Të tjera kanë shkaqe më banale, si një përditësim i dëmtuar softueri.
Megjithatë, denduria e këtyre problemeve nuk është domosdoshmërisht rastësi e pastër. Përzierja e sulmeve kibernetike të mbështetura nga inteligjenca artificiale, infrastrukturave të vjetruara teknologjike dhe përpjekjeve të nxituara për të përforcuar sistemet ka krijuar terren pjellor për keqfunksionime.
“Jemi dëshmitarë të një ndërthurjeje të tre faktorëve që po gjenerojnë një gjendje të rrezikshme në fushën e sigurisë kibernetike”, tha Ilkka Turunen nga kompania e sigurisë Sonatype, duke shtuar se kjo situatë mund të kthehet në “normalitetin e ri”.
Prej muajsh, ekspertët e sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të shkaktojë një shpërthim sulmesh. Në prill, kompania Anthropic, krijuese e Claude, lançoi Mythos, për të cilin paralajmëroi se do të “reformulonte sigurinë kibernetike”, falë aftësisë për të identifikuar gabime në programe. Atëherë, drejtues të fushës së sigurisë kishin paralajmëruar se brenda disa muajsh kriminelët mund të siguronin teknologji të ngjashme.
Parashikimet dolën të sakta. Këtë javë, studiuesit e sigurisë në Google njoftuan se hakerë rusishtfolës kishin kryer sulmin e parë kibernetik tërësisht të automatizuar në nivel global.
“Kriminelët kibernetikë pa përvojë tani mund të kryejnë sulme në nivelin e aktorëve shtetërorë që ekzistonin nëntë muaj më parë”, theksoi Turunen.
Megjithatë, asnjë nga problemet madhore të teknologjisë gjatë javëve të fundit nuk i është atribuar drejtpërdrejt vetëm inteligjencës artificiale keqdashëse. Më shqetësuese ka qenë vala e dobësive të sigurisë të zbuluara nga vetë ekspertët që mbrojnë sistemet.
Në tetor, studiuesit e kompanisë amerikane Calif njoftuan se kishin përdorur instrumente të inteligjencës artificiale për të zbuluar një dobësi kritike në PHP, një gjuhë programimi shumë e përdorur për aplikacionet web dhe ndërlidhjen me bazat e të dhënave. Përpjekjet për ta rregulluar atë, si dhe frika se mund të shfrytëzohej nga sulmuesit, sollën ndërprerjen e dhjetëra faqeve qeveritare dhe qindra faqeve të tjera.
Po atë javë, kompania identifikoi edhe dobësinë në Java, e cila mund të përdoret për të shkaktuar kolaps të sistemeve të teknologjisë. Të dyja dobësitë u zbuluan gjatë një bashkëpunimi të koordinuar midis Calif dhe OpenAI, kompanisë që zhvillon ChatGPT.
Specialistëve që mbrojnë sistemet kibernetike u është dhënë akses i privilegjuar në mjete të fuqishme të inteligjencës artificiale për t’i zbuluar dobësitë përpara kriminelëve. Por kjo ka rezultuar në një numër të madh të metash të reja të identifikuara dhe presion për t’i korrigjuar, edhe kur ato mund të mos ishin shfrytëzuar kurrë nga sulmuesit.
Sipas bazës së të dhënave të SHBA-së për dobësitë e sigurisë, këtë vit janë evidentuar më shumë se 11.000 të meta kritike në programe. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se 3.365 të regjistruara vitin e kaluar dhe përbën më shumë se një të katërtën e të gjitha dobësive të identifikuara ndonjëherë.
Kjo ka ndezur një garë të ethshme për t’i rregulluar përpara se t’i zbulojnë kriminelët. Por përditësimet jo gjithmonë funksionojnë si duhet: një gabim në kodin e ri ose një problem në ndërveprim me një program tjetër mund të paralizojë një sistem të tërë.
Microsoft, i cili fajësoi një përditësim të gabuar të instaluar më herët këtë vit për ndërprerjen e së premtes së kaluar, ka katërfishuar numrin e korrigjimeve që kryen çdo javë gjatë këtij viti.
“Po kalojmë një lloj apokalipsi të përditësimeve. Dhe herë pas here, kur përditëson sistemet, të gjithë e dimë se gjërat mund të dalin keq”, tha Dmitri Alperovitch, bashkëthemelues i CrowdStrike, për NPR të martën.
“Diku, diga do të shpërthejë”, paralajmëroi gjatë fundjavës studiuesi i sigurisë Marcus Hutchins, i cili ndihmoi në ndalimin e virusit WannaCry në vitin 2017. Ai shtoi se punonjësit që merren me mirëmbajtjen e programeve po përballen me një “rrjedhë të pafundme raportesh për gabime” dhe rrezikojnë të rraskapiten deri në dorëzim.
Paralajmërimet për një valë sulmesh të mbështetura nga inteligjenca artificiale kanë nxitur më në fund përpjekjet për të përditësuar sistemet e vjetruara, por ky proces shpesh është i ndërlikuar dhe shkakton ndërprerje. Në maj, Ollie Whitehouse, drejtues i Qendrës Kombëtare Britanike të Sigurisë Kibernetike, paralajmëroi se sisteme të tilla të vjetra mund të duhet të zëvendësohen tërësisht.
Përditësimet e sistemeve të amortizuara ishin arsyeja e ndërprerjeve në aeroportet amerikane gjatë fundjavës, si dhe në sistemin e komunikimeve të sigurta të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA).
Të mërkurën, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë deklaruan se vala e ndërprerjeve ishte pasojë e përforcimit dhe përditësimit të sistemeve, jo e një serie sulmesh kibernetike.
Kjo mund të mos jetë shumë ngushëlluese. Nëse kaosi i shkaktuar nga ata që përpiqen të mbrojnë sistemet është kaq i madh, mund të imagjinohet dëmi që mund të shkaktojë vala e paralajmëruar e sulmeve kibernetike nga kriminelët, të mbështetura nga inteligjenca artificiale.







