Sot, me rastin e 26-vjetorit të krijimit të Avokatit të Popullit, u mbajt konferenca “Roli dhe rëndësia e rekomandimeve të Avokatit të Popullit”, në të cilën mori pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula.
Gjatë fjalimit të saj, ajo e cilësoi Avokatin e Popullit si zërin e qytetarëve dhe mbrojtësin e të drejtave e lirive të tyre.
Të lidhura
None found
Presidentja nënvizoi se në një demokraci, garancitë ligjore për të drejtat e njeriut nuk janë të mjaftueshme; ato duhet të mbrohen vazhdimisht, në çdo situatë.
Ajo vlerësoi rekomandimet e Avokatit të Popullit, duke i përshkruar si thirrje për veprim, përgjegjësi dhe përmirësim. Sipas saj, zbatimi i këtyre rekomandimeve ndihmon në ndërtimin e besimit te institucionet dhe në forcimin e sundimit të ligjit.
Presidentja Shiroka Pula theksoi se fuqizimi i pavarësisë dhe i rolit të Avokatit të Popullit është thelbësor për demokracinë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në fund të fjalimit, ajo potencoi se qëllimi duhet të jetë që çdo qytetar t’i gëzojë të drejtat pa qenë i detyruar të kërkojë mbrojtje, ndërsa institucionet të veprojnë me përgjegjshmëri, në mënyrë që sa më pak njerëz të kenë nevojë t’i drejtohen Avokatit të Popullit.







