Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se brenda katër vjetësh synon që importet në vlerë prej 1 miliard euro të zëvendësohen me produkte të prodhuara në vend, përmes një strategjie që përfshin mbështetje financiare dhe lehtësime për sektorin privat.
Gjatë konferencës “The Future of Business: From Opportunity to Investment”, organizuar nga Data4X në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Kurti theksoi se Kosova vijon të blejë nga jashtë produkte që ka mundësi t’i prodhojë brenda territorit të saj.
Të lidhura
None found
“Ne ende importojmë shumë produkte që mund t’i prodhojmë vetë. Agjenda Një Miliard Euro ka një logjikë të qartë. Identifikojmë ato produkte që i blejmë nga jashtë e që mund të prodhohen këtu, dhe pastaj i prodhojmë. Kjo nuk është proteksionizëm. Tregjet tona mbeten të hapura dhe kompanitë tona do të garojnë me ato që vijnë tek ne”, u shpreh Kurti.
Ai bëri me dije se gjatë vitit 2025, vlera e mallrave të importuara në Kosovë kaloi 7 miliardë euro, ndërsa eksportet ishin afër 1 miliard euro. Sipas tij, rreth 4 miliardë euro nga totali i importeve përbëhet nga produkte që mund të prodhohen në vend.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se Qeveria planifikon të mbështesë prodhuesit vendas përmes garancive shtetërore për kredi investimi, me synim rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Në fjalën e tij për zhvillimet ekonomike, Kurti prezantoi disa tregues për vitin 2026. Sipas shifrave që ai paraqiti, qarkullimi i bizneseve gjatë 9 muajve të parë të vitit arriti në 18.6 miliardë euro, një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ai shtoi se në shtator u regjistruan 426 mijë vende pune, 12 mijë e 200 më shumë se një vit më parë, ndërsa eksportet e mallrave në 10 muajt e parë arritën në 960 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 24%.
Kurti njoftoi se nga konsultimet me përfaqësuesit e bizneseve ka rezultuar një plan veprimi me 10 kërkesa konkrete, për të cilat janë caktuar institucionet përgjegjëse dhe afatet kohore të zbatimit.
Ndër masat e paralajmëruara është hyrja në fuqi, deri në fund të vitit, e ligjit për vonesat në pagesa, sipas të cilit për vonesat mbi 30 ditë do të aplikohet kamatë.
Po ashtu, ai paralajmëroi ristrukturimin e skemës së granteve, në mënyrë që mbështetja financiare të kombinohet me kredi dhe garanci.
Në planin e Qeverisë, sipas Kurtit, përfshihen edhe thjeshtimi i procedurave për lejet ujore, certifikatat e eksportit dhe harmonizimi i trajtimit të humbjeve ndërmjet Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Kryeministri theksoi se rezultatet e këtyre masave do të vlerësohen në pranverën e vitit 2027, duke analizuar të dhënat doganore dhe tatimore.
“Ajo që matet, realizohet. Në pranverë të vitit 2027 do të kthehemi sërish në takime dhe do t’i shqyrtojmë bashkë të dhënat doganore dhe tatimore. Ato nuk kanë opinion”, deklaroi Kurti.





