Timço Mucunski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, mori pjesë në konferencën “Siguria në Ballkanin Perëndimor” të mbajtur në Shkup, organizuar nga Instituti Gjerman Aspen. Në fjalën e tij, ai vuri theksin te rëndësia që ka siguria dhe stabiliteti i rajonit për sigurinë evropiane në tërësi, duke nënvizuar se zhvillimet e reja gjeopolitike kërkojnë një bashkëpunim më të ngushtë dhe përgjegjësi më të madhe politike nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mucunski sqaroi se siguria e shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet e ndarë nga ajo e Evropës, sidomos në këtë periudhë kur dinamikat gjeopolitike po ndryshojnë me shpejtësi.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, ministri rikonfirmoi orientimin strategjik të vendit të tij, duke përmendur anëtarësimin në NATO, harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe përkushtimin për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, zgjerimi i BE-së nuk duhet trajtuar thjesht si një proces teknik integrimi, por si një bashkim gjeopolitik i kontinentit dhe një investim strategjik që e bën Evropën më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Ai theksoi gjithashtu se Ballkani Perëndimor duhet të afirmohet gjithnjë e më shumë si një rajon që jep kontribut aktiv në sigurinë evropiane dhe në forcimin e rezistencës së përbashkët.
Për ta arritur këtë, sipas ministrit, nevojiten përgjegjësi politike, thellim i bashkëpunimit rajonal dhe ndërgjegjësim se siguria e çdo vendi është e lidhur ngushtë me atë të fqinjëve të tij.







