Gazmend Muhaxheri, kryetari i Komunës së Pejës, u paraqit sot për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Nën pyetjet e kryetarit të Komisionit, Burim Ramadani, si dhe të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, Muhaxheri dha shpjegime rreth funksionimit të Drejtorisë për Punë Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale, përfshirë edhe procesin e emërimeve në këtë institucion.
Të lidhura
None found
Ai sqaroi se pozita e drejtoreshës së QPS-së aktualisht mbahet në cilësinë e ushtrueses së detyrës, pasi u emërua në këtë post pas daljes në pension të drejtoreshës së mëparshme.
Kur u pyet nëse kishte pasur ndonjë takim mes drejtoreshës dhe Arlinda Zekajt, Muhaxheri tha se nuk mund ta përjashtonte një mundësi të tillë, por theksoi se nuk disponon informacione për hollësitë e një takimi eventual.
Në vijim, ai zbuloi se Qendra për Punë Sociale i kishte drejtuar Komunës një kërkesë për instalimin e një detektori sigurie në hyrje të ndërtesës, për shkak të shqetësimeve se persona të armatosur mund të hynin brenda. Po ashtu, ishte kërkuar edhe angazhimi i një personi me aftësi më të mëdha fizike për të garantuar sigurinë e qendrës.







