Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës është caktuar për nesër në orën 11:00, ku deputetët do të kenë përpara një sërë projektligjesh dhe çështjesh parlamentare për shqyrtim.
Në qendër të rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, si dhe Projektligji për Efiçiencë të Energjisë, i cili gjithashtu do të kalojë në shqyrtim të parë.
Të lidhura
None found
Deputetët do të diskutojnë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, si dhe do të procedohen nismat legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga ana e Kuvendit.
Gjithashtu, në rend dite është përfshirë zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Një tjetër pikë e rëndësishme është rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili do të shqyrtohet nga deputetët.
Seanca do të përfshijë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar që heton rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Në hapje të seancës, si zakonisht, do të zhvillohen deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.







