Rama për “The Independent”: Rrjetet sociale po gërryejnë demokracitë, ndërsa projekti i Sazanit ende nuk ka marrë formë përfundimtare

Në një intervistë për gazetën britanike “The Independent”, kryeministri Edi Rama foli për protestat në Shqipëri, kundërshtitë ndaj projektit turistik në ishullin e Sazanit, pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës dhe akuzat për korrupsion.

Duke komentuar protestat, të cilat gazeta i përshkruan si ndër më të mëdhatë që prej përfundimit të komunizmit, Rama tha se rrjetet sociale kanë ndikuar në përhapjen e zemërimit dhe kanë shtrembëruar mënyrën se si zhvillohet debati demokratik.

Të lidhura

None found

“Kjo është mënyra se si Shqipëria u bë skena e një zemërimi që e çoi vendin në çdo ekran kompjuteri në të gjithë botën”, deklaroi kryeministri.

Rama pranoi se zhvillimet e fundit e kishin prekur dhe shqetësuar, ndërsa vuri në dyshim ndikimin e platformave online mbi shoqëritë demokratike.

“Ishte shqetësuese, sepse e ndjeva në lëkurën time se çfarë katastrofe janë rrjetet sociale. Pashë se si demokracitë tona po hahen të gjalla nga e keqja e rrjeteve sociale”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit, në të kaluarën e drejta për të publikuar shoqërohej me përgjegjësi, pasi gazetat dhe botuesit kontrollonin përmbajtjen që dilte në publik. Në ditët e sotme, tha Rama, grupet ekstremiste dhe përhapësit e teorive konspirative mund të organizohen lehtësisht dhe t’i shpërndajnë idetë e tyre në mbarë botën.

“Ne, demokracitë, kemi lejuar që liria e fjalës të zëvendësohet nga liria e arritjes te publiku”, ishte një nga qëndrimet më të forta të tij gjatë intervistës.

Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe planit për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit, ku janë të përfshirë Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, si dhe investitorë të tjerë ndërkombëtarë.

Rama tha se mënyra e paraqitjes së kësaj çështjeje ka qenë e shtrembëruar. Sipas tij, interesi i Kushnerit për një investim në Shqipëri ishte shfaqur para rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Kur u takova me Jared Kushnerin dhe kur ai më pyeti nëse mund të shqyrtonte një investim të mundshëm në Shqipëri, Donald Trump nuk ishte president i Shteteve të Bashkuara. Ai ishte subjekt i sistemit të drejtësisë penale në SHBA dhe në atë kohë dukej se kishte shumë më tepër mundësi të përfundonte në burg sesa të shkonte në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se e kishte mirëpritur interesimin e investitorit amerikan dhe se vlerësimi duhet të lidhet me mundësitë që projekti i sjell Shqipërisë, jo me marrëdhëniet familjare të Kushnerit.

“Pse duhet të më interesojë kush është vjehrri i tij?”, u shpreh Rama.

Ai sqaroi se deri tani nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare për projektin dhe se bisedimet kanë vazhduar prej vitesh. Shteti shqiptar, sipas tij, po negocion pjesën që do të ketë në investim, ndërsa vendimi për realizimin e projektit do të varet nga vlerësimet mjedisore.

Rama kundërshtoi gjithashtu idenë se zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e natyrës nuk mund të bashkëjetojnë.

“Një zhvillim i keq mund të jetë shumë i dëmshëm, por mund të jetë shumë mirë të rigjenerosh një zonë të mbrojtur përmes zhvillimit”, argumentoi ai.

Për të mbështetur politikat e qeverisë në fushën e mjedisit, kryeministri përmendi zgjerimin e sipërfaqeve të mbrojtura në mbi 20 për qind të territorit të Shqipërisë, ndalimin e gjuetisë për një periudhë dhjetëvjeçare dhe kufizimet për shfrytëzimin e pyjeve.

Gjatë intervistës, Rama foli edhe për ndryshimet ekonomike dhe rritjen e turizmit në Shqipëri përgjatë dekadës së fundit.

Ai deklaroi se në kohën kur mori drejtimin e qeverisë, në vend hynin më pak se dy milionë turistë në vit, ndërsa sot numri ka kaluar 12 milionë. Po ashtu, sipas tij, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga më pak se 10 miliardë euro në rreth 30 miliardë euro.

Kryeministri pranoi se ky zhvillim ka sjellë edhe pritshmëri të reja te qytetarët, të cilët kërkojnë që përfitimet e ndryshimit të ndihen më drejtpërdrejt në jetën e tyre.

“Njëherë njerëzit donin një rrugë të re, ndërsa sot duan rrugën që ende mungon”, tha ai.

Duke iu referuar mendimtarit francez Alexis de Tocqueville, Rama tha se përmirësimi i gjendjes ekonomike nuk garanton domosdoshmërisht kënaqësi më të madhe, pasi njerëzit priren të fokusohen te ato që ende nuk kanë, në vend që të vlerësojnë atë që kanë arritur.

“Njerëzit nuk pyesin më ‘A ka ndryshuar Shqipëria?’. Sot ata pyesin ‘Ku jam unë në këtë ndryshim? Çfarë përfitoj unë prej tij?’”, deklaroi kryeministri.

Rama përsëriti edhe objektivin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke e përshkruar integrimin si një projekt që lidhet me paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin.

“Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Duam të anëtarësohemi tani, por nuk do ta ndryshojmë kurrë mendjen për këtë objektiv, edhe nëse Bashkimi Europian do të zhdukej. Ne do ta ndërtonim atë në Tiranë”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit, Europa për shqiptarët nënkupton edhe të drejtën për të përcaktuar vetë të ardhmen, pas një historie të gjatë të kaluar nën sundimin e perandorive dhe regjimeve të ndryshme.

“Ne vijmë nga një histori ku kemi qenë të detyruar të jetojmë nën fuqi, perandori dhe regjime. Nuk kemi qenë kurrë në gjendje të zgjedhim”, përfundoi Rama.


Shtuar më 17.11.2026 22:28

deneme bonusuBursa Escortdeneme bonusujojobetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetkahraman haberdeneme bonusu veren sitelercasinofast güncel girişstarzbetonline notarylimanbetgiftcardmall/mygiftextrabetjojobetsuperbetingrandpashabetjojobetjojobetjojobetjojobetjojobetjojobet girişjojobet girişjojobet