Një armë e re bërthamore amerikane, e njohur me emërtimin B94, mund të jetë projektuar për të goditur bunkerë dhe instalime ushtarake të vendosura thellë nën tokë. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të saj.
Referenca për B94 doli në një dokument të Komitetit të Buxhetit të Senatit amerikan, ku propozohet të ndahen 77.1 milionë dollarë për vitin fiskal 2027. Megjithatë, kjo shumë përbën një rekomandim dhe nuk është miratuar përfundimisht.
Të lidhura
None found
Projektbuxheti për vitin fiskal 2027 duhet të votohet në Senat, të harmonizohet me variantin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe më pas të marrë miratimin e presidentit.
Dokumenti e përshkruan B94 si një përcaktim të ri për një armë bërthamore, por deri tani nuk janë bërë të ditura fuqia shpërthyese, specifikat teknike apo objektivat e saj të përcaktuara.
Ekspertët mendojnë se projekti mund të ketë lidhje me programin NDS-A, një sistem bërthamor që lëshohet nga ajri dhe synon të godasë objektiva të fortifikuara ose të groposura në thellësi, të paarritshme lehtësisht nga armët konvencionale. Autoritetet amerikane, megjithatë, nuk kanë konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtin program.
Interesi strategjik i SHBA-së përfshin objektet nëntokësore në Iran, si dhe infrastrukturën ushtarake të Rusisë dhe Kinës, vende që kanë investuar në struktura të fortifikuara dhe qendra komandimi të mbrojtura.
Arsenali amerikan përmban tashmë bombën B61-11, të krijuar për të goditur objektiva nëntokësore. B94 mund të synojë plotësimin ose zëvendësimin e disa prej armëve që janë aktualisht në përdorim.
The War Zone, media e specializuar amerikane, raportoi se përmendja e B94 u gjet gjatë shqyrtimit të dokumenteve buxhetore. Në rast se konfirmohet si sistem i ri, do të ishte bomba e parë bërthamore amerikane e lëshuar nga ajri me një përcaktim të ri që prej vitit 1991.
Uashingtoni nuk ka publikuar ende një projekt konkret për armën dhe as nuk ka sqaruar se cilat objektiva do të synonte ajo.
Sipas ekspertëve të cituar nga Breaking Defense, B94 mund t’u japë SHBA-së një kapacitet të ri për të goditur objektiva nëntokësore që armët ekzistuese amerikane e kanë të vështirë t’i arrijnë. Ata, megjithatë, vënë në pikëpyetje efikasitetin e saj, pasi objektivat e vendosura në thellësi shumë të mëdha mbeten të vështira për t’u shkatërruar edhe me municione të posaçme.
Projekti shihet si pjesë e përpjekjeve më të gjera për modernizimin e arsenalit bërthamor amerikan, ku përfshihen raketa balistike të gjeneratës së re, nëndetëse strategjike dhe bombarduesi B-21 Raider.








