Kryeministri i vendit Edi Rama, mori pjesë në prezantimin e modelit të ri të Prokurimeve të Përqendruara, i cili synon të përqendrohet te rezultatet, të forcojë sigurinë dhe transparencën, si dhe të ulë barrën ekonomike e burokracitë për institucionet dhe sipërmarrjet.
Rama tha se, për herë të parë, buxheti i vitit të ardhshëm do të përfshijë sistemin e ri të prokurimit. Përmes operatorit të blerjeve të përqendruara, ky sistem do të shërbejë si mekanizëm për institucionet shtetërore gjatë zhvillimit të prokurimeve.
Të lidhura
None found
Sipas kryeministrit, rëndësia e modelit lidhet me përmirësimin e organizimit dhe efikasitetit të prokurimeve.
Ai parashikon një strukturë të specializuar, e cila po integrohet në sistemin europian dhe po mbështetet me ekspertizë të plotë nga institucionet ndërkombëtare.
Gjithashtu, Rama shtoi se synimi është që Prokurimi Publik të shndërrohet në një model ekselence dhe inovacioni për rajonin.
Modeli i ri do të ndërthurë përvojën europiane me inteligjencën artificiale, e cila do të përdoret për analizimin e riskut dhe përgatitjen e dokumentacionit.
Rama njoftoi gjithashtu nisjen e punës për ngritjen e sistemit të ri të Prokurimit Publik, të cilin e cilësoi unik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë.
Për bizneset, kryeministri parashikoi më shumë qartësi dhe shpejtësi, kosto më të ulëta dhe reduktim të ndjeshëm të burokracisë.
Ai tha se sipërmarrjet nuk do të duhet të mbledhin më dokumente për të paraqitur ofertat, pasi informacionet për biznesin do të menaxhohen përmes Diellës, me dosje virtuale për secilin biznes.








