Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe personat e tjerë të përfshirë në procesin për pengim të drejtësisë.
Ajo e ka cilësuar vendimin të papranueshëm dhe të turpshëm, duke shprehur shqetësimin e saj për dëmtimin e besimit te paanshmëria e Gjykatës. Sipas Çitakut, kundërshtimet mbi procedurat, proceset e zhvilluara njëri pas tjetrit dhe zvarritjet që kanë vijuar prej vitesh kanë shtuar dyshimet për mënyrën se si po administrohet drejtësia. Ajo ka kërkuar qëndresë dhe angazhim politik, juridik e diplomatik në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Reagimi i plotë
Vendimi është i turpshëm dhe i papranueshëm.
Asgjë nuk e dëmton më shumë drejtësinë sesa momenti kur vendimet e saj nuk shkaktojnë më habi, sepse besimi te paanshmëria e saj është cenuar rëndë.
Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në kuadër të procesit për pengim të drejtësisë.
Çështjet e ngritura lidhur me procedurat, proceset e përsëritura dhe vonesat shumëvjeçare i kanë bërë edhe më të mëdha pikëpyetjet tona serioze mbi administrimin e drejtësisë nga kjo Gjykatë.
Drejtësia nuk mund të zbatojë standarde të ndryshme: një për personat që gjykohen dhe një tjetër për ata që japin gjykimin.
Padrejtësisë do t’i përgjigjemi me mënyrën që kërkon: përmes qëndresës, mobilizimit dhe përkushtimit të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Do të veprojmë konkretisht në planin politik, juridik dhe diplomatik, me vendosmëri deri në fund.
Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK-ja ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset kurrë.
Me çlirimtarët, deri në liri!






