Kim Jong Un është fotografuar duke kaluar kohë me familjen në një kompleks skish pranë kufirit të Koresë së Veriut me Kinën.
Materialet filmike dhe fotografitë e publikuara nga mediat shtetërore e tregojnë udhëheqësin koreano-verior të ulur në një kolltuk lëkure, me një cigare në dorë dhe syze dielli, ndërsa shikon malet përreth.
Të lidhura
None found
Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA raportoi se Kim vizitoi zonën turistike të Samjiyon të dielën dhe të hënën. Në udhëtim e shoqëruan bashkëshortja e tij, Ri Sol-ju, vajza e tyre dhe disa zyrtarë të Partisë së Punës së Koresë.
Një pjesë e veçantë e vëmendjes iu kushtua vajzës së tij, Kim Joo-e. Ajo u shfaq në pistat e skive me një kostum të bardhë, ndërsa prania e saj ka rindezur interesin për të ardhmen e familjes Kim. Inteligjenca e Koresë së Jugut ka vlerësuar se ajo mund të jetë duke u përgatitur për të pasuar të atin në drejtimin e vendit.
Kompleksi turistik ku zhvilloi vizitën përfshin pista skish dhe hotele. Sipas KCNA-së, Kim Jong Un vlerësoi nivelin e ndërtimeve, organizimin e hapësirave dhe kujdesin ndaj detajeve. Ai gjithashtu shprehu kënaqësi për peizazhin, duke e përshkruar zonën si një qytet të ngritur mes pyjeve.
Samjiyon shtrihet në pjesën veriore të Koresë së Veriut, pranë kufirit me Kinën dhe në afërsi të malit Paektu. Ky vend ka një rëndësi të madhe simbolike për familjen Kim, pasi konsiderohet vendlindja e shenjtë e Kim Jong Il, babait të udhëheqësit aktual.
A do të takohet Kim Jong Un me Donald Trump?
Publikimi i pamjeve nga vizita në Samjiyon ndodhi në një periudhë kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka përmendur mundësinë e një takimi të ri me Kim Jong Un gjatë qëndrimit të tij në Kinë.
“Ne mund të takohemi me Kim Jong Un, kështu që kjo do të ishte mirë”, u tha Trump gazetarëve përpara nisjes drejt Kinës. Ai sqaroi se realizimi i një takimi të tillë do të varej edhe nga presidenti kinez, Xi Jinping.
Pavarësisht kësaj, analistët nuk kanë evidentuar shenja konkrete se takimi mund të zhvillohet gjatë kësaj jave. Hong Min, studiues në Institutin Korean për Unifikimin Kombëtar, deklaroi për AFP se njoftimi i mediave shtetërore të Koresë së Veriut nuk përcillte ndonjë sinjal ose mesazh për Uashingtonin.
Sipas tij, udhëtimi i Kim Jong Un në Samjiyon nuk mund të interpretohet si një hap përgatitor për një takim të mundshëm me Trump.
Trump dhe Kim Jong Un janë takuar tri herë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, në kuadër të negociatave për programin bërthamor të Koresë së Veriut.







